| Chapter 28 |
1 | "Pastaj afro pranë vetes sate Aaronin, tët vëlla, dhe bijtë e tij së bashku me të, nga gjiri i bijve të Izraelit, që të më shërbejnë mua si prift; e kam fjalën për Aaronin, Nadabin, Eleazarin dhe Ithamarin, bij të Aaronit.
|
2 | Dhe do t`i bësh Aaronit, vëllait tënd, rroba të shenjta, për t`i dhënë nder e hijeshi.
|
3 | Do të flasësh me të gjithë personat e aftë, që i kam mbushur me frymën e diturisë, dhe ata t`i bëjnë rrobat e Aaronit për ta shenjtëruar, me qëllim që të më shërbejnë mua si prift.
|
4 | Dhe këto janë rrobat që do të bëjnë: një pektoral, një efod, një mantel, një tunikë e thurur me shtiza, një çallmë dhe një brez. Do të bëjnë, pra, rroba të shenjta për Aaronin, vëllanë tënd dhe për bijtë e tij, me qëllim që të më shërbejnë mua si prift;
|
5 | ata do të përdorin ar dhe fill ngjyrë vjollce, të purpurt, flakë të kuqe dhe li të hollë.
|
6 | Do ta bësh efodin me ar dhe fill ngjyrë vjollce, të purpurt, të kuqe flakë si dhe me fill liri të hollë dhe të përdredhur, të punuar artistikisht.
|
7 | Në dy skajet e tij do të ketë të lidhura dy supore, me qëllim që të mbahet si një e tërë.
|
8 | Brezi i punuar artistikisht, që ndodhet mbi efodin, do të ketë po atë punë të efodit: prej ari dhe me fije ngjyrë vjollce, të purpurt, me flakë të kuqe dhe prej liri të hollë të përdredhur.
|
9 | Pastaj do të marrësh dy gurë oniksi dhe do të gdhendësh mbi ta emrat e bijve të Izraelit:
|
10 | gjashtë nga emrat e tyre mbi një gur dhe gjashtë emrat e tjerë mbi gurin tjetër, sipas radhës së tyre të lindjes.
|
11 | Do të gdhendësh mbi këta gurë emrat e bijve të Izraelit ashtu siç bën prerësi i gurit në gdhendjen e një vule; do t`i futësh në rrathë ari.
|
12 | Do t`i vësh të dy gurët mbi supet e efodit, si gurë kujtimore për bijtë e Izraelit; dhe Aaroni do t`i çojë emrat e tyre si një kujtim para Zotit mbi dy shtyllat e tij.
|
13 | Do të bësh gjithashtu rrathë ari
|
14 | dhe dy zinxhirë prej ari safi, të thurur si një litar, dhe do të vësh në rrathët zinxhirët e thurur në këtë mënyrë.
|
15 | Do të bësh gjithashtu pektoralin e gjykimit, të punuar në mënyrë artistike; do ta bësh punën si për efodin: prej ari, me fill ngjyrë vjollce, të purpurt dhe flakë të kuqe, si dhe me li të hollë të përdredhur.
|
16 | Do të jetë katror dhe i palosur më dysh; do të jetë një pëllëmbë i gjatë dhe një pëllëmbë i gjerë.
|
17 | Dhe do të ngallmosh katër radhë gurësh: në radhën e parë një sardonio, një topaz dhe një smerald;
|
18 | në radhën e dytë: një bruz, një safir dhe një diamant;
|
19 | në radhën e tretë: një hiacint, një agat dhe një ametist;
|
20 | në radhën e katërt: një grisolist, një oniks dhe një diaspër. Këta gurë do të ngallmohen në rrathët e tyre të artë.
|
21 | Dhe gurët do t`u korrespondojnë emrave të bijve të Izraelit: dymbëdhjetë, simbas emrave të tyre, të gdhendur si vula, secila me emrin e fiseve të Izraelit.
|
22 | Do të bësh gjithashtu mbi pektoral zinxhirë të vegjël prej ari safi të thurur si kordonë.
|
23 | Pastaj do të bësh mbi pektoral dyj unaza prej ari, dhe do t`i vësh të dy unazat në dy skajet e pektoralit.
|
24 | Pastaj do t`i fiksosh dy kordonat prej ari në dy unazat në skajet e pektoralit;
|
25 | dhe dy majat e tjera të dy kordonëve do t`i lidhësh me të dy rrathët dhe do t`i vendosësh mbi dy supet e efodit, nga përpara.
|
26 | Do të bësh edhe dy unaza ari dhe do t`i vendosësh në dy skajet e pektoralit, mbi palën e tij, që ndodhet në pjesën e brendshme të efodit.
|
27 | Do të bësh dy unaza të tjera ari dhe do t`i vendosësh mbi të dy supet e efodit poshtë, në pjesën e përparme pranë pikës së bashkimit, mbi brezin e punuar artistikisht të efodit.
|
28 | Dhe pektorali do të fiksohet me anë të dy unazave të tij në unazat e efodit me një kordon ngjyrë vjollce, në mënyrë që pektorali të ndodhet mbi brezin e punuar artistikisht të efodit dhe të mos shkëputet dot prej këtij të fundit.
|
29 | Kështu Aaroni do t`i çojë emrat e bijve të Izraelit të skalitur në pektoralin e gjykimit, mbi zemrën e tij, kur do të hyjë në shenjtërore, në kujtim të përjetshëm përpara Zotit.
|
30 | Do të vësh mbi pektoralin e gjykimit Urim-in dhe Thumim-in; dhe do të jenë mbi zemrën e Aaronit kur të paraqitet përpara Zotit. Kështu Aaroni do të çojë gjykimin e bijve të Izraelit mbi zemrën e tij para Zotit, vazhdimisht.
|
31 | Do të bësh edhe mantelin e efodit, krejt në ngjyrë vjollce.
|
32 | Në mes të tij do të ketë një hapje për të kaluar kokën; rreth e qark kësaj hapjeje do të ketë një buzë prej stofi të punuar, si hapja e një parzmoreje, me qëllim që të mos shqyhet.
|
33 | Rreth e qark kësaj buze të mantelit do të bësh disa shegë ngjyrë vjollce, të purpurt dhe flakë të kuqe, dhe rreth tyre, zile ari;
|
34 | një zile ari dhe një shegë, një zile ari dhe një shegë, rreth e qark, mbi buzën e mantelit.
|
35 | Aaroni do ta përdorë për të kryer shërbimin; dhe tingulli i saj do të dëgjohet kur të hyjë në vendin e shenjtë përpara Zotit dhe kur të dalë andej, me qëllim që ai të mos vdesë.
|
36 | Do të bësh edhe një pllakë prej ari safi dhe mbi të do të gdhendësh, ashtu siç bëhet mbi një vulë, fjalët: SHENJTÉRI ZOTIT.
|
37 | Do t`i lidhësh asaj një rrip ngjyrë vjollce, për ta bashkuar me çallmën; ajo duhet të ndodhet në pjesën e përparme të çallmës.
|
38 | Kështu do të qëndrojnë mbi ballin e Aaronit, dhe Aaroni do të mbajë fajin të shoqëruar me gjërat e shenjta të paraqitura nga bijtë e Izraelit, në çdo lloj ofertash të shenjta; ajo do të rrijë vazhdimisht mbi ballin e tij, në mënyrë që ato të jenë të mirëpritura nga Zoti.
|
39 | Do të endësh gjithashtu tunikën prej liri të hollë, të punuar me shtiza; do të bësh një çallmë prej liri të hollë dhe një brez, një punë qëndistari.
|
40 | Për bijtë e Aaronit do të bësh disa tunika, breza dhe mbulesa koke, me qëllim që t`u japësh atyre nder dhe hijeshi.
|
41 | Me ato do të veshësh më vonë vëllanë tënd Aaronin dhe bijtë e tij bashkë me të; ti do t`i vajosësh, do t`i shugurosh dhe do t`i shenjtërosh, që të më shërbejnë si priftërinj.
|
42 | Do t`u bësh gjithashtu disa pantallona prej liri për të mbuluar lakuriqësinë e tyre; ato do të shkojnë nga ijët deri te kofshët.
|
43 | Aaroni dhe bijtë e tij do t`i veshin kur të hyjnë në çadrën e mbledhjeve, ose kur t`i afrohen altarit për të bërë shërbimin në vendin e shenjtë, me qëllim që mos bëhen fajtorë dhe të mos vdesin. Ky është një statut i përjetshëm për të dhe për trashëgimtarët e tij".
|