| Chapter 13 |
1 | Por Jozueu ishte plak dhe në moshë të shtyrë; dhe Zoti i tha: "Ti je plak dhe i shtyrë në moshë, dhe të mbetet një pjesë shumë e madhe e vendit për të pushtuar.
|
2 | Ky është vendi që mbetet akoma: tërë territori i Filistejve dhe gjithë ai i Geshuritëve,
|
3 | nga Shikori që rrjedh në lindje të Egjiptit, deri në kufirin e Ekronit nga veriu (krahinë që konsiderohet kananease), tokat e pesë princave të Filistejve, domethënë të Gazës, të Ashdodit, të Ashkalonit, të Gathit, të Ekronit dhe të Avejve gjithashtu,
|
4 | në jug, tërë vendi i Kananejve, dhe Mearahu që u përket Sidonëve deri në Afek, deri në kufirin e Amorejve;
|
5 | vendi i Giblitëve dhe tërë Libani në drejtim të lindjes, nga Baal-Gadi në këmbët e malit Hermon deri në hyrje të Hamathit;
|
6 | tërë banorët e krahinës malore të Libanit deri në ujërat e Misrefothit, dhe gjithë Sidonët. Unë do t`i dëboj para bijve të Izraelit; ti ndërkaq ndaje me short vendin midis Izraelitëve si trashëgimi, ashtu si të kam urdhëruar.
|
7 | Ndaje, pra, këtë vend si trashëgimi midis nëntë fiseve dhe gjysmës së fisit të Manasit".
|
8 | Rubenitët dhe Gaditët, bashkë me gjysmën e fisit tjetër, kanë marrë trashëgiminë e tyre, që Moisiu u dha atyre matanë Jordanit, në lindje, ashtu siç ua kishte dhënë Moisiu, shërbëtor i Zotit;
|
9 | nga Aroeri që ndodhet në brigjet e përroit Arnon dhe nga qyteti që është në mes të luginës, tërë rrafshnaltën e Medebas deri në Dibon;
|
10 | tërë qytetet e Sihonit, mbretit të Amorejve, që mbretëronte në Heshbon, deri në kufirin e bijve të Amonit;
|
11 | Galaadin, territorin e Geshuritëve dhe të Maakathitëve, tërë malin Hermon dhe tërë Bashanin deri në Salkah;
|
12 | tërë mbretërinë e Ogut, në Bashan, që mbretëronte në Ashtaroth dhe në Edrei dhe ishte i vetmi gjigant i mbetur gjallë. Në fakt Moisiu i kishte mundur dhe dëbuar.
|
13 | Por bijtë e Izraelit nuk i përzunë Geshuritët dhe Maakathitët; kjo është arësyeja pse Geshuritët dhe Maakathitët banojnë në mes të Izraelit deri në ditët e sotme.
|
14 | Vetëm fisit të Levit, Moisiu nuk i kishte dhënë asnjë trashëgimi; flijimet e bëra me zjarr për nder të Zotit, Perëndisë së Izraelit, përfaqësonin trashëgiminë e tij, ashtu si u kishte thënë ai.
|
15 | Kështu Moisiu i kishte dhënë fisit të bijve të Rubenit pjesën që u përkiste, simbas familjeve të tyre;
|
16 | territori i tyre niste nga Aroeri që ndodhet mbi brigjet e përroit Arnon dhe nga qyteti që gjendet në mes të luginës, tërë rrafshnalta pranë Medebës,
|
17 | Heshboni dhe tërë qytetet e tij që ndodhen në rrafshnaltën: Diboni, Bamoth-Baali, Beth-Baal-Meoni,
|
18 | Jahtsahu, Kedemothi, Mefaathi,
|
19 | Kirjathaimi, Sibmahu, Tsereth-Hashahari mbi malin e luginës,
|
20 | Beth-Peori, shpatet e Pisgahut dhe Beth-Jeshimothi;
|
21 | të gjitha qytetet e rrafshnaltës dhe tërë mbretëria e Sihonit, mbretit të Amorejve që mbretëronte në Heshbon, të cilin Moisiu e mundi me princat e Madianit: Evi, Rekem, Tsur, Hur dhe Reba, princa vasalë të Sihonit, që banonin në atë vend.
|
22 | Bijtë e Izraelit vranë gjithashtu me shpatë Balaamin, birin e Beorit, shortarin, bashkë me të tjerët që u vranë në radhët e Madianitëve.
|
23 | Territori i bijve të Rubenit kufizohej me Jordanin. Kjo ishte trashëgimia e bijve të Rubenit në bazë të familjeve të tyre, së bashku me qytetet dhe fshatrat e tyre.
|
24 | Moisiu i kishte dhënë gjithashtu fisit të Gadit, bijve të Gadit, pjesën e tyre, simbas familjeve të tyre.
|
25 | Territori i tyre përfshinte Jazerin, të gjitha qytetet e Galaadit, gjysmën e vendit të bijve të Amonit deri në Aroer, që ngrihet përballë Rabahut,
|
26 | dhe nga Heshboni deri në Ramath-Mitspah dhe Betonim, dhe nga Mahanaimi deri në kufirin e Debirit,
|
27 | dhe në luginë, Beth-Harami, Beth-Nimrahi, Sukothi dhe Tsafoni, pjesa që mbeti nga mbretëria e Sihonit, mbretit të Heshbonit, që ka Jordanin për kufi, deri në skajin e Detit të Kinerethit, matanë Jordanit, në drejtim të lindjes.
|
28 | Kjo qe trashëgimia e bijve të Gadit, simbas familjeve të tyre, me qytetet dhe fshatrat e tyre.
|
29 | Moisiu i kishte dhënë gjithashtu gjysmës së fisit të Manasit, bijve të Manasit, pjesën e tyre, simbas familjeve të tyre.
|
30 | Territori i tyre përfshinte Mahanaimin, tërë Bashanin, tërë mbretërinë e Ogut, mbretit të Bashanit, tërë fshatrat e Jairit që ndodhen në Bashan, gjithsej shtatëdhjetë qytete.
|
31 | Gjysma e Galaadit, Ashtarothit dhe Edreit, qytete të mbretërisë së Ogut në Bashan, kaluan në dorë të bijve të Makirit, birit të Manasit, simbas familjeve të tyre.
|
32 | Këto janë pjesët që Moisiu u kishte ndarë si trashëgimi në fushat e Moabit, matanë Jordanit, në bregun përballë Jerikos, në lindje.
|
33 | Por fisit të Levit Moisiu nuk i la asnjë trashëgimi; Zoti, Perëndia i Izraelit, ishte trashëgimia e tij, ashtu siç u kishte thënë ai vetë.
|