| Chapter 17 |
1 | Filistejtë i mblodhën trupat e tyre për luftë; u mblodhën në Sokoh, që është pronë e Judës, dhe e ngritën kampin e tyre në Efes-Damim midis Sokohut dhe Azekahut.
|
2 | Edhe Sauli dhe njerëzit e Izraelit u mblodhën dhe e ngritën kampin e tyre në luginën e Terebintos, dhe u rreshtuan për betejë kundër Filistejve.
|
3 | Filistejtë ndodheshin në mal nga një anë dhe Izraeli ishte në mal nga ana tjetër, dhe midis tyre ndodhej lugina.
|
4 | Nga kampi i Filistejve doli një kampion i quajtur Goliath, nga Gathi, i lartë gjashtë kubitë dhe një pëllëmbë.
|
5 | Kishte në kokë një helmetë prej bronzi, ishte veshur me një parzmore, pesha e të cilit ishte pesë mijë sikla bronzi;
|
6 | në këmbë kishte këmbore prej bronzi dhe mbi sup mbante një ushtë prej hekuri.
|
7 | Maja e ushtës së tij ishte si shuli i një endësi dhe peshonte gjashtë qind sikla argjendi: para tij ecte shqytari i tij.
|
8 | Ai u ndal dhe u thirri grupeve të ushtarëve të Izraelit: "Pse keni dalë për t`u radhitur në formacion beteje? A nuk jam unë një Filiste dhe ju shërbëtorë të Saulit? Zgjidhni një burrë që të dalë kundër meje.
|
9 | Në rast se do të jetë në gjendje të luftojë me mua dhe të më vrasë, ne do të jemi shërbëtorët tuaj; por në rast se dal unë fitues dhe e vras, atëherë ju do të jeni shërbëtorët tanë dhe do të na shërbeni".
|
10 | Pastaj Filisteu shtoi: "Unë sot po sfidoj trupat e Izraelit: "Më jepni një burrë dhe do të luftojmë!".
|
11 | Kur Sauli dhe tërë Izraeli dëgjuan këto fjalë të Filisteut, mbetën të shtangur dhe u hyri një frikë e madhe.
|
12 | Davidi ishte biri i atij Efrateut të Betlemit të Judës, që mbante emrin Isai dhe kishte tetë bij. Në kohën e Saulit, ky njeri ishte i plakur dhe i shtyrë në moshë.
|
13 | Tre bijtë më të mëdhenj të Isait kishin shkuar në luftë me Saulin: emrat e tre bijve të tij që kishin shkuar në luftë ishin: Eliabi, i parëlinduri, Abinadabi i dyti dhe Shamahu i treti.
|
14 | Davidi ishte më i riu dhe tre më të mëdhenjtë kishin shkuar pas Saulit.
|
15 | Davidi përkundrazi shkonte dhe vinte nga Sauli për të kullotur kopenë e atit të tij në Betlem.
|
16 | Filisteu u dilte përpara në mëngjes dhe në mbrëmje, dhe vazhdoi të dalë dyzet ditë me radhë.
|
17 | Isai i tha Davidit, birit të tij: "Merr për vëllezërit e tu një efë nga ky grurë i pjekur dhe dhjetë bukë dhe çoji shpejt vëllezërve të tu në kamp.
|
18 | Dërgo edhe këto dhjetë forma djathi komandantit të mijëshes së tyre; shiko si janë vëllezërit e tu dhe më sill një peng nga ana e tyre.
|
19 | Sauli me gjithë vëllezërit e tu dhe gjithë burrat e Izraelit janë në luginën e Terebintit për të luftuar Filistejtë".
|
20 | Kështu Davidi u ngrit herët në mëngjes, ia la delet e tij një rojtari, mori ngarkesën e tij dhe u nis ashtu siç e kishte urdhëruar Isai. Arriti në kampin e qerreve, kur ushtria po dilte për t`u radhitur në formacion beteje dhe lëshonte britma lufte.
|
21 | Izraelitët dhe Filistejtë ishin radhitur për betejë, një ushtri kundër tjetrës.
|
22 | Davidi, pasi la ngarkesën e tij në duart e rojtarit të bagazheve, vrapoi në drejtim të grupimeve të betejës; me të arritur në vend, pyeti vëllezërit e tij si ishin.
|
23 | Ndërsa po fliste me ata, ja ku doli nga radhët e Filistejve ai kampion, Filisteu i Gathit, që mbante emrin Goliath dhe përsëriti po ato fjalë; dhe Davidi i dëgjoi.
|
24 | Tërë njerëzit e Izraelit, me ta parë atë njeri, ikën para tij dhe u hyri një frikë e madhe.
|
25 | Njerëzit e Izraelit thonin: "E keni parë këtë njeri që shkon përpara? Ai shkon përpara për të vënë në provë sedrën e Izraelit. Ai që do ta vrasë, kushdo qoftë, do të shpërblehet me pasuri të mëdha nga mbreti, ky do t`i japë për grua të bijën dhe do të përjashtojë nga çdo haraç shtëpinë e atit të tij në Izrael".
|
26 | Atëherë Davidi, duke iu drejtuar njerëzve që ishin pranë tij, tha: "Çfarë do t`i bëjnë atij burri që do të vrasë këtë Filiste dhe do ta largojë turpin nga Izraeli? Po kush është ky Filiste, i parrethprerë, që guxon të poshtërojë ushtrinë e Perëndisë të gjallë?".
|
27 | Njerëzit iu përgjegjën me po ato fjalë, duke thënë: "Kështu do të bëhet me atë që do ta vrasë".
|
28 | Eliabi, vëllai i tij më i madh, e dëgjoi ndërsa fliste me ata njerëz; kështu Eliabi u zemërua me Davidin dhe tha: "Pse erdhe këtu? Kujt ia le ato pak dele në shkretëtirë? Unë e njoh krenarinë tënde dhe ligësinë e zemrës sate, ke zbritur këtu për të parë betejën?".
|
29 | Davidi u përgjegj: "Ç`kam bërë unë tani?. Nuk ishte veçse një pyetje e thjeshtë!".
|
30 | Duke u larguar prej tij, iu drejtua një tjetri dhe i bëri po atë pyetje; dhe njerëzit i dhanë po atë përgjigje të mëparshme.
|
31 | Sa dëgjuan fjalët që Davidi kishte thënë, ia treguan Saulit dhe ky dërgoi njerëz që ta thërresin.
|
32 | Davidi i tha Saulit: "Asnjeri të mos ligështohet për shkak të tij! Shërbëtori yt do të shkojë të luftojë me këtë Filiste".
|
33 | Sauli i tha Davidit: "Ti nuk mund të shkosh të luftosh kundër këtij Filisteu, sepse ti je akoma djalosh, ndërsa ai është një luftëtar qysh në të ritë e tij".
|
34 | Por Davidi iu përgjegj Saulit: "Shërbëtori yt kulloste kopenë e atit të tij; kur një luan ose një ari vinte për të rrëmbyer një dele nga kopeja,
|
35 | unë e ndiqja, e godisja dhe ia rrëmbeja nga goja; në qoftë se ai kthehej kundër meje, unë e kapja nga krifa, e godisja dhe e vrisja.
|
36 | Po, shërbëtori yt ka vrarë luanin dhe ariun; dhe ky Filiste i parrethprerë do të pësojë të njëjtin fat, sepse ka fyer ushtrinë e Perëndisë të gjallë".
|
37 | Davidi shtoi: "Zoti që më shpëtoi nga kthetrat e luanit dhe nga panxha e ariut, do të më shpëtojë edhe nga dora e këtij Filisteu". Atëherë Sauli i tha Davidit: "Shko dhe Zoti qoftë me ty".
|
38 | Pastaj Sauli e veshi Davidin me armaturën e tij, i vuri në kokë një përkrenare prej bronzi dhe i veshi parzmoren.
|
39 | Pastaj Davidi ngjeshi shpatën e Saulit mbi armaturën dhe u përpoq të ecë, sepse nuk ishte mësuar. Por Davidi i tha Saulit: "Unë nuk mund të eci me këtë armaturë, sepse nuk jam mësuar me të". Dhe kështu Davidi e hoqi nga trupi i tij.
|
40 | Pastaj mori në dorë shkopin e tij, zgjodhi pesë gurë të lëmuar në përrua, i vuri në torbën e bariut, në një thes të vogël që kishte me vete; pastaj me hobenë në dorë u nis kundër Filisteut.
|
41 | Edhe Filisteu përparoi duke iu afruar gjithnjë e më tepër Davidit, ndërsa shqyrtari i tij e paraprinte.
|
42 | Filisteu shikonte me kujdes dhe, me të parë Davidin, e përçmoi sepse ishte vetëm një i ri, kuqalash dhe i hijshëm.
|
43 | Filisteu i tha Davidit: "Mos jam vallë një qen që po del kundër meje me shkop në dorë?". Dhe Filisteu e mallkoi Davidin në emër të perëndive të tij.
|
44 | Pastaj Filisteu i tha Davidit: "Eja këtu, dhe unë do t`ia jap mishin tënd shpendëve të qiellit dhe kafshëve të fushave".
|
45 | Atëherë Davidi iu përgjegj Filisteut: "Ti po më vjen me shpatë, me shtizë dhe me ushtë; kurse unë po të dal në emër të Zotit të ushtërive, Perëndisë të ushtrisë së Izraelit që ti ke fyer.
|
46 | Pikërisht sot Zoti do të të dorëzojë në duart e mia; dhe unë do të të rrëzoj, do të pres kokën tënde dhe do t`u jap pikërisht sot kufomat e ushtrisë së Filistejve shpendëve të qiellit dhe bishave të tokës, me qëllim që gjithë dheu të mësojë se ka një Perëndi në Izrael.
|
47 | Atëherë gjithë kjo turmë do të mësojë që Zoti nuk të shpëton me anë të shpatës as me anë të shtizës; sepse përfundimi i betejës varet nga Zoti, dhe ai do t`ju dorëzojë në duart tona".
|
48 | Kur Filisteu lëvizi dhe shkoi përpara për t`u ndeshur me Davidin, edhe Davidi nxitoi menjëherë drejt mejdanit, ballë Filisteut;
|
49 | vuri dorën në thes, nxori prej tij një gur, e hodhi me hobenë dhe e goditi në ballë Filisteun; guri iu fut në ballë dhe ai ra me fytyrë për tokë.
|
50 | Kështu Davidi me një hobe dhe një gur mundi Filisteun; e goditi dhe e vrau, megjithëse Davidi nuk kishte asnjë shpatë në dorë.
|
51 | Pastaj Davidi vrapoi, u hodh mbi Filisteun, ia mori shpatën dhe e vrau duke i prerë me të kokën. Kur Filistejtë e panë që heroi i tyre vdiq, ikën me vrap.
|
52 | Atëherë njerëzit e Izraelit dhe të Judës u ngritën, duke lëshuar britma lufte, dhe i ndoqën Filistejtë deri në hyrjen e luginës dhe në portat e Ekronit. Filistejtë e plagosur për vdekje ranë në rrugën e Shaarimit, deri në Gath dhe në Ekron.
|
53 | Kur bijtë e Izraelit u kthyen nga ndjekja e Filistejve, plaçkitën kampin e tyre.
|
54 | Pas kësaj Davidi mori kokën e Filisteut dhe e çoi në Jeruzalem, por armët e tij i vendosi në çadrën e tij.
|
55 | Kur Sauli kishte parë Davidin që po dilte kundër Filisteut, kishte pyetur komandantin e ushtrisë së tij, Abnerin: "Abner, bir i kujt është ky i ri?". Abneri iu përgjegj: "Ashtu siç është e vërtetë që ti rron, o mbret, nuk e di".
|
56 | Atëherë mbreti tha: "Merr informata mbi prindërit e këtij djaloshi".
|
57 | Kur Davidi u kthye nga vrasja e Filisteut, Abneri e mori dhe e çoi përparea Saulit, ndërsa ai mbante akoma në dorë kokën e Filisteut.
|
58 | Sauli i tha: "O i ri, bir i kujt je?". Davidi u përgjegj: Jam bir i shërbëtorit tënd, Betlemitit Isai".
|