| Chapter 3 |
1 | Jehorami, bir i Ashabit, filloi të mbretërojë mbi Izraelin në Samari vitin e tetëmbëdhjetë të Jozafatit, mbretit të Judës, dhe mbretëroi dymbëdhjetë vjet me radhë.
|
2 | Ai bëri atë që është e keqe për sytë e Zotit, por jo si i ati i tij dhe nëna e tij, sepse hoqi shtyllën e Baalit, të ndërtuar nga i ati.
|
3 | Megjithatë ai mbeti i lidhur me mëkatet e Jeroboamit, birit të Nebatit, që e kishte bërë Izraelin të mëkatojë, dhe nuk u shkëput nga ato.
|
4 | Mesha, mbret i Moabit, ishte një rritës dhensh dhe i paguante mbretit të Izraelit një haraç prej njëqind mijë qengjash dhe leshin e njëqind mijë deshve.
|
5 | Por me vdekjen e Ashabit, mbretit të Moabit u rebelua kundër mbretit të Izraelit.
|
6 | Atëherë mbreti Jehoram doli nga Samaria dhe kërkoi të mblidhet tërë Izraeli;
|
7 | pastaj u nis dhe i çoi fjalë Jozafatit, mbretit të Judës: "Mbreti i Moabit ka ngritur krye kundër meje; a do të vish me mua për të luftuar kundër Moabit?". Ai u përgjigj: "Do të vij, ki besim tek unë ashtu si ke besim tek vetja jote, te populli im ashtu si te populli yt, te kuajt e mi ashtu si te kuajt e tu".
|
8 | Pastaj pyeti: "Nëpër çfarë rruge do të shkojmë?". Jehorami u përgjigj: "Nga rruga e shkretëtirës së Edomit".
|
9 | Kështu mbreti i Izraelit, mbreti i Judës dhe mbreti i Edomit filluan marshimin; mbasi ecën përqark shkretëtirës shtatë ditë, filloi t`i mungojë uji ushtrisë dhe kafshëve që e ndiqnin.
|
10 | Atëherë mbreti i Izraelit tha: "Sa keq! Zoti i ka thirrur bashkë këta tre mbretër për t`i dorëzuar në duart e Moabit!".
|
11 | Por Jozafati pyeti: "A ka këtu ndonjë profet të Zotit me anë të të cilit mund të këshillohemi me Zotin?". Njëri nga shërbëtorët e mbretit të Izraelit u përgjigj dhe tha: "Kemi këtu Eliseun, birin e Shafatit, i cili derdhte ujë mbi duart e Elias".
|
12 | Jozafati tha: "Fjala e Zotit është me të". Kështu mbreti i Izraelit, Jozafati dhe mbreti i Edomit zbritën drejt tij.
|
13 | Por Eliseu i tha mbretit të Izraelit: "Ç`punë kam unë me ty? Shko te profetët e atit tënd dhe të nënës sate!". Mbreti i Izraelit iu përgjigj: "Jo, sepse Zoti i ka thirrur bashkë të këta tre mbretër për t`i dorëzuar në duart e Moabit".
|
14 | Atëherë Eliseu tha: "Ashtu siç është e vërtetë që rron Zoti i ushtrive, në prani të të cilit ndodhem unë, po të mos ishte për respektin që kam për Jozafatin, mbretin e Judës, nuk do të isha kujdesur aspak për ty dhe nuk do të të kisha begenisur as edhe me një shikim.
|
15 | Por tani më sillni një muzikant". Por ndodhi që, ndërsa muzikanti i binte harpës, dora e Zotit u ndodh mbi Eliseun.
|
16 | Atëherë ai tha: "Kështu flet Zoti: "Gërmoni shumë gropa në këtë luginë".
|
17 | Sepse kështu thotë Zoti: "Ju nuk do të shihni as erë, as shi; megjithatë kjo luginë do të mbushet me ujë; dhe do të pini ju, bagëtia juaj dhe kafshët tuaja të transportit.
|
18 | Por kjo është akoma pak në sytë e Zotit, sepse ai do t`ju japë në dorë edhe Moabin.
|
19 | Ju do të shkatërroni të gjitha qytetet e fortifikuara dhe të gjitha qytetet më të mira, do të rrëzoni të gjithë drurët e mirë, do të zini të gjitha burimet e ujit dhe do të shkatërroni me gurë të gjitha parcelat e mira të tokës"".
|
20 | Të nesërmen, në orën në të cilën ofrohet blatimi i ushqimit, ja që erdhi uji nga ana e Edomit dhe vendi u mbush plot me ujë.
|
21 | Tërë Moabitët, që mësuan që këta mbretër kishin dalë për të bërë luftë, mblodhën tërë ata që ishin në gjendje të mbanin armë, të rinj dhe pleq, dhe u rreshtuan në kufi.
|
22 | Kur u ngritën në mëngjes herët, dielli shndriste mbi ujërat; atëherë Moabitët panë para tyre ujërat të kuqë si gjak;
|
23 | dhe thanë: "Po ky është gjak! Me siguri këta mbretër janë përleshur dhe kanë vrarë njeri tjetrin. Kështu, pra, o Moab, të bëjmë plaçkë!".
|
24 | Kështu u sulën drejt kampit të Izraelit; por Izaelitët u ngritën dhe i vunë përpara Moabitët, që ia mbathën para tyre. Hynë pastaj në vend dhe vazhduan t`i vrasin Moabitët.
|
25 | Shkatëruan qytetet; çdo copë tokë të mirë e mbushën me gurë, duke hedhur secili gurin e tij; i zunë të gjitha burimet e ujit dhe prenë tërë drurët e mirë. Në Kir-Hareseth mbetën vetëm gurët, por hobetarët e rrethuan dhe e sulmuan.
|
26 | Mbreti i Moabit, duke parë që beteja ishte tepër e fortë për të, mori me vete shtatëqind veta që vringëllonin shpatat, për të çarë rrugën deri te mbreti i Edomit; por nuk mundën.
|
27 | Atëherë ai mori të parëlindurin e tij që do të mbretëronte në vend të tij, dhe e ofroi si olokaust mbi muret. Pati atëherë një zemërim të madh kundër atyre Izraelitëve që u larguan nga ai dhe u kthyen në vendin e tyre.
|