| Chapter 21 |
1 | Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha:
|
2 | "Dëgjoni me kujdes atë që kam për të thënë, dhe kjo të jetë kënaqësia që më jepni.
|
3 | Kini durim me mua dhe më lini të flas dhe, kur të kem folur, edhe talluni me mua.
|
4 | A ankohem vallë për një njeri? Dhe pse fryma ime nuk duhet të trishtohet?
|
5 | Shikomëni dhe habituni, dhe vini dorën mbi gojë.
|
6 | Kur e mendoj, më zë frika dhe mishi im fillon të dridhet.
|
7 | Pse, pra, jetojnë të pabesët dhe pse plaken dhe shtojnë pasuritë e tyre?
|
8 | Pasardhësit e tyre fuqizohen bashkë me ta nën vështrimet e tyre dhe fëmijët e tyre lulëzojnë në sytë e tyre.
|
9 | Shtëpitë e tyre janë në siguri, pa tmerre, dhe fshikulli i Perëndisë nuk rëndon mbi ta.
|
10 | Demi i tyre mbars dhe nuk gabon, lopa e tyre pjell pa dështuar.
|
11 | Dërgojnë jashtë si një kope të vegjlit e tyre dhe bijtë e tyre hedhin valle.
|
12 | Këndojnë në tingujt e timpanit dhe të qestes dhe kënaqen me zërin e flautit.
|
13 | I kalojnë në mirëqënie ditët e tyre, pastaj një çast zbresin në Sheol.
|
14 | Megjithatë i thonin Perëndisë: "Largohu nga ne, sepse nuk dëshirojmë aspak të njohim rrugët e tua.
|
15 | Kush është i Plotfuqishmi të cilit duhet t`i shërbejmë? Ç`përfitojmë veç kësaj kur e lusim?".
|
16 | Ja, begatia e tyre a nuk është vallë në duart e tyre? Këshilla e të pabesëve është mjaft larg meje.
|
17 | Sa herë shuhet llamba e të këqijve ose shkatërrimi bie mbi ta, vuajtjet që Perëndia cakton në zemërimin e tij?
|
18 | A janë ata si kashta përpara erës ose si byku që e merr me vete stuhia?
|
19 | Ju thoni se Perëndia ruan dënimin e paudhësisë së dikujt për bijtë e tij. Ta shpaguajë Perëndia, që ai të mund ta kuptojë.
|
20 | Të shohë me sytë e tij shkatërrimin e vet dhe të pijë nga zemërimi i të Plotfuqishmit!
|
21 | Çfarë i hyn në punë në fakt shtëpia e tij mbas vdekjes, kur numri i muajve të tij është mbushur?
|
22 | A mundet ndokush t`i mësojë Perëndisë njohuri, atij që gjykon ata që ndodhen atje lart?
|
23 | Dikush vdes kur ka plot fuqi, i qetë dhe i sigurt;
|
24 | ka kovat plot me qumësht dhe palca e kockave të tij është e freskët.
|
25 | Një tjetër përkundrazi vdes me shpirt të hidhëruar, pa pasë shijuar kurrë të mirën.
|
26 | Që të dy dergjen bashkë në pluhur dhe krimbat i mbulojnë.
|
27 | Ja, unë i njoh mendimet tuaja dhe planet me të cilat doni të ushtroni dhunën kundër meje.
|
28 | Në fakt ju thoni: "Ku është shtëpia e princit, dhe ku është çadra, banesa e njerëzve të këqij?".
|
29 | Nuk i keni pyetur ata që udhëtojnë dhe nuk i njihni shenjat e tyre?
|
30 | Njerëzit e këqij në fakt shpëtojnë ditën e shkatërrimit dhe çohen në shpëtim ditën e zemërimit.
|
31 | Kush e qorton për sjelljen e tij dhe kush i jep shpagim për atë që ka bërë?
|
32 | Atë e çojnë në varr dhe i bëjnë roje varrit të tij.
|
33 | Plisat e luginës do të jenë të ëmbël për të; tërë njerëzia do ta ndjekë, ndërsa një mori pa fund i shkon para.
|
34 | Si mund të më ngushëlloni pra, me fjalë të kota, kur nga fjalët tuaja nuk mbetet veçse gënjeshtra?".
|