| Chapter 27 |
1 | Jobi e mori fjalën përsëri dhe tha:
|
2 | "Ashtu si rron Perëndia që më ka hequr të drejtën time dhe i Plotfuqishmi që më ka hidhëruar shpirtin,
|
3 | deri sa të ketë një frymë jete tek unë dhe të jetë fryma e Perëndisë në flegrat e hundës sime,
|
4 | buzët e mia nuk do të thonë asnjë ligësi, as gjuha ime nuk ka për të shqiptuar asnjë gjë të rreme.
|
5 | Nuk do të pranoj që ju keni të drejtë; deri në regëtimat e fundit nuk do të heq dorë nga ndershmëria ime.
|
6 | Do të qëndroj i patundur në drejtësinë time, pa bërë lëshime; zemra nuk më qorton asnjë nga ditët e mia.
|
7 | Armiku im qoftë si njeriu i keq, dhe ai që ngrihet kundër meje ashtu si njeriu i padrejtë.
|
8 | Çfarë shprese mund të ketë në fakt i pabesi, edhe sikur të arrijë të sigurojë fitime, kur Perëndia i heq jetën?
|
9 | A do ta dëgjojë Perëndia britmën e tij, kur mbi të do të bjerë fatkeqësia?
|
10 | A do t`i vërë kënaqësitë e tij vallë tek i Plotfuqishmi dhe do të kërkojë ndihmën e Perëndisë në çdo kohë?
|
11 | Do t`ju jap mësime mbi fuqinë e Perëndisë, nuk do t`ju fsheh qëllimet e të Plotfuqishmit.
|
12 | Por ju të gjithë i keni vënë re këto gjëra, pse, pra, silleni në mënyrë kaq të kotë?
|
13 | Ky është fati që Perëndia i rezervon njeriut të keq, trashëgimia që njerëzit që përdorin dhunën marrin nga i Plotfuqishmi.
|
14 | Në rast se ka një numër të madh bijsh, këta i destinohen shpatës, dhe trashëgimtarët e tij nuk do të kenë bukë për t`u ngopur.
|
15 | Ata që do të mbijetojnë pas tij do të varrosen nga vdekja dhe të vejat e tyre nuk do të qajnë.
|
16 | Në rast se grumbullon argjend si pluhur dhe mbledh rrobe si baltë,
|
17 | ai i grumbullon, por do t`i veshë i drejti, dhe argjendin do ta ndajë i pafajmi.
|
18 | Ai ndërton shtëpinë e tij si një mole, si një kasolle që e ka bërë një rojtar.
|
19 | I pasuri bie në shtrat, por nuk do të bashkohet me njerëzit e tij; hap sytë dhe nuk është më.
|
20 | Tmerri e kap në befasi si ujërat; në mes të natës një furtunë e rrëmben tinëzisht.
|
21 | Era e lindjes e merr me vete dhe ai ikën, e fshin nga vendi i tij si një vorbull.
|
22 | Ajo sulet kundër tij pa mëshirë, ndërsa ai kërkon në mënyrë të dëshpëruar të shpëtojë nga ajo dorë,
|
23 | njerëzia duartroket në mënyrë tallëse për të dhe fërshëllen kundër tij nga vendi ku ndodhet".
|