| Chapter 29 |
1 | Jobi e rifilloi ligjëratën e tij dhe tha:
|
2 | "Ah, sikur të isha si në muajt e së kaluarës, si në ditët kur Perëndia më mbronte,
|
3 | kur llamba e tij shkëlqente mbi kokën time dhe me dritën e saj ecja në mes të errësirës;
|
4 | siç isha në ditët e pjekurisë sime, kur mendja e fshehtë e Perëndisë kujdesej për çadrën time,
|
5 | kur i Plotfuqishmi ishte akoma me mua dhe bijtë e mi më rrinin përqark;
|
6 | kur laja këmbët e mia në gjalpë dhe shkëmbi derdhte për mua rrëke vaji.
|
7 | Kur dilja ne drejtim të portës së qytetit dhe ngrija fronin tim në shesh,
|
8 | të rinjtë, duke më parë, hiqeshin mënjanë, pleqtë ngriheshin dhe qëndronin më këmbë;
|
9 | princat ndërprisnin bisedat dhe vinin dorën mbi gojë;
|
10 | zëri i krerëve bëhej më i dobët dhe gjuha e tyre ngjitej te qiellza.
|
11 | veshi që më dëgjonte, më shpallte të lumtur, dhe syri që më shihte, dëshmonte për mua,
|
12 | sepse çliroja të varfrin që klithte për ndihmë, dhe jetimin që nuk kishte njeri që ta ndihmonte.
|
13 | Bekimi i atij që ishte duke vdekur zbriste mbi mua dhe unë e gëzoja zemrën e gruas së ve.
|
14 | Isha i veshur me drejtësi dhe ajo më mbulonte; drejtësia ime më shërbente si mantel dhe si çallmë.
|
15 | Isha sy për të verbërin dhe këmbë për çalamanin;
|
16 | isha një baba për të varfrit dhe hetoja rastin që nuk njihja.
|
17 | I thyeja nofullat njeriut të keq dhe rrëmbeja gjahun nga dhëmbët e tij.
|
18 | Dhe mendoja: "Kam për të vdekur në folenë time dhe do të shumëzoj ditët e mia si rëra;
|
19 | rrënjët e mia do të zgjaten në drejtim të ujërave, vesa do të qëndrojë tërë natën në degën time;
|
20 | lavdia ime do të jetë gjithnjë e re tek unë dhe harku im do të fitojë forcë të re në dorën time".
|
21 | Të pranishmit më dëgjonin duke pritur dhe heshtnin për të dëgjuar këshillën time.
|
22 | Mbas fjalës sime ata nuk përgjigjeshin, dhe fjalët e mia binin mbi ta si pika vese.
|
23 | Më prisnin ashtu si pritet shiu dhe hapnin gojën e tyre si për shiun e fundit.
|
24 | Unë u buzëqeshja kur kishin humbur besimin, dhe nuk mund ta pakësonin dritën e fytyrës sime.
|
25 | Kur shkoja tek ata, ulesha si kryetar dhe rrija si një mbret midis trupave të tij, si një që ngushëllon të dëshpëruarit.
|