| Chapter 22 |
1 | Perëndia im, Perëndia im, pse më ke braktisur? Pse më rri kaq larg dhe nuk vjen të më çlirosh, duke dëgjuar fjalët e ofshamës sime?
|
2 | O Perëndia im, unë bërtas ditën, por ti nuk përgjigjesh, edhe natën unë nuk rri në heshtje.
|
3 | Megjithatë ti je i Shenjti, që banon në lëvdimet e Izraelit.
|
4 | Etërit tonë kanë pasur besim te ti; kanë pasur besim te ti dhe ti i ke çliruar.
|
5 | Të klithën ty dhe u çliruan; patën besim te ti dhe nuk u zhgënjyen.
|
6 | Por unë jam një krimb dhe jo një njeri; turpi i njerëzve dhe përçmimi i popullit.
|
7 | Tërë ata që më shohin më përqeshin, zgjatin buzën dhe tundin kokën,
|
8 | duke thënë: "Ai i ka besuar Zotiit; le ta çlirojë, pra, ta ndihmojë, mbasi e do".
|
9 | Me siguri ti je ai që më nxori nga barku i nënes; bëre që të kem besim te ti qysh nga koha kur pushoja mbi sisët e nënes sime.
|
10 | Unë u braktisa te ti qysh nga lindja ime; ti je Perëndia im qysh nga barku i nënes sime.
|
11 | Mos u largo nga unë, sepse ankthi është i afërt, dhe nuk ka asnjë që të më ndihmojë.
|
12 | Dema të mëdhenj më kanë rrethuar, dema të fuqishëm të Bashanit më rrinë përqark;
|
13 | ata hapin gojën e tyre kundër meje, si një luan grabitqar që vrumbullit.
|
14 | Më derdhin si ujë dhe tërë kockat e mia janë të ndrydhura; zemra ime është si dylli që shkrihet në mes të zorrëve të mia.
|
15 | Forca ime është tharë si një enë balte dhe gjuha ime është ngjitur te qiellza; ti më ke vënë në pluhurin e vdekjes.
|
16 | Sepse qentë më kanë rrethuar, një grup keqbërësish më rri rrotull; më kanë shpuar duart dhe këmbët.
|
17 | Unë mund t`i numëroj gjithë kockat e mia; ato më shikojnë dhe më këqyrin.
|
18 | Ndajnë midis tyre rrobat e mia dhe hedhin në short tunikën time.
|
19 | Por ti, o Zot, mos u largo; ti që je forca ime, nxito të më ndihmosh.
|
20 | Çliroje jetën time nga shpata, jetën time të vetme nga këmba e qenit.
|
21 | Shpëtomë nga gryka e luanit dhe nga brirët e buajve. Ti m`u përgjigje.
|
22 | Unë do t`u njoftoj emrin tënd vëllezërve të mi, do të të lëvdoj në mes të kuvendit.
|
23 | Ju që keni frikë nga Zoti, lëvdojeni; dhe ju të gjithë, pasardhës të Jakobit, përlëvdojeni; dhe ju të gjithë, o fis i Izraelit, kini frikë nga ai.
|
24 | Sepse ai nuk ka përçmuar as nuk ka hedhur poshtë vuajtjen e të pikëlluarit, dhe nuk i ka fshehur fytyrën e tij; por kur i ka klithur atij, ai e ka kënaqur.
|
25 | Shkaku i lëvdimit tim në kuvendin e madh je ti; unë do t`i plotësoj zotimet e mia në prani të të gjithë atyre që kanë frikë nga ti.
|
26 | Nevojtarët do të hanë dhe do të ngopen; ata që kërkojnë Zotin do ta lëvdojnë; zemra juaj do të jetojë përjetë.
|
27 | Të gjitha skajet e tokës do ta mbajnë mend Zotin dhe do të kthehen tek ai; dhe të gjitha familjet e kombeve do të adhurojnë përpara teje.
|
28 | Sepse Zotit i përket mbretëria dhe ai sundon mbi kombet.
|
29 | Gjithë të pasurit e dheut do të hanë dhe do të të adhurojnë; të gjithë ata që zbresin në pluhur dhe që nuk arrijnë të mbahen gjallë do të përkulen para teje.
|
30 | Pasardhësit do t`i shërbejnë; do t`i flitet për Zotin brezit të ardhshëm.
|
31 | Ata do të vijnë dhe do t`i shpallin drejtësinë e tij një populli që nuk ka lindur akoma, dhe që ai vetë e ka krijuar.
|