| Chapter 37 |
1 | Mos u dëshpëro për shkak të njerëzve të këqij; mos ki smirë ata që veprojnë me ligësi,
|
2 | sepse ata shpejt do të kositen si bari dhe do të thahen si bari i blertë.
|
3 | Ki besim tek Zoti dhe bëj të mira; bano vendin dhe shto besnikërinë.
|
4 | Gjej kënaqësinë tënde në Zotin dhe ai do të plotësojë dëshirat e zemrës sate.
|
5 | Vendose fatin tënd tek Zoti, ki besim tek ai dhe ai ka për të vepruar.
|
6 | Ai do të bëjë të shkëlqejë drejtësia jote si drita dhe ndershmëria e saj si mesdita.
|
7 | Rri në heshtje para Zotit dhe prite atë; mos u hidhëro për atë që i shkojnë mbarë punët e veta, për njeriun që ndjek planet e këqija të tij.
|
8 | Hiq dorë nga zemërimi dhe lëre përbuzjen; mos u dëshpëro; kjo do të të çonte edhe ty të bëje të keqen.
|
9 | Sepse njerëzit e këqij do të shfarosen, por ata që shpresojnë tek Zoti do të bëhen zotër të tokës.
|
10 | Edhe pak dhe i pabesi nuk do të jetë më; po, ti do të kërkosh me kujdes vendin e tij dhe ai nuk do të jetë më.
|
11 | Por zemërbutët do të zotërojnë tokën dhe do të gëzojnë një paqe të madhe.
|
12 | I pabesi komploton kundër të drejtit dhe kërcëllin dhëmbët kundër tij.
|
13 | Zoti qesh me të, sepse e sheh që vjen dita e tij.
|
14 | Të pabesët kanë nxjerrë shpatën dhe kanë nderur harkun e tyre për të rrëzuar të mjerin dhe nevojtarin, për të vrarë ata që ecën drejt në rrugën e tyre.
|
15 | Shpata e tyre do të hyjë në zemrën e tyre dhe harqet e tyre do të thyhen.
|
16 | Vlen më tepër e pakta e të drejtit se sa bollëku i shumë të pabesëve.
|
17 | Sepse krahët e të pabesëve do të thyhen, por Zoti i përkrah të drejtët.
|
18 | Zoti i njeh ditët e njerëzve të ndershëm dhe trashëgimia e tyre do të vazhdojë përjetë.
|
19 | Ata nuk do të ngatërrohen në kohën e fatkeqësisë dhe në ditët e zisë do të ngopen.
|
20 | Por të pabesët do të vdesin dhe armiqtë e Zotit do të konsumohen dhe do të bëhen tym si dhjami i qengjave.
|
21 | I pabesi merr hua dhe nuk e kthen, por i drejti ka mëshirë dhe dhuron.
|
22 | Sepse të bekuarit nga Zoti do të trashëgojnë tokën, por ata që janë mallkuar prej tij do të shfarosen.
|
23 | Hapat e njeriut i drejton Zoti, kur atij i pëlqejnë rrugët e tij.
|
24 | Por kur njeriu rrëzohet, nuk shtrihet për tokë, sepse Zoti e mban për dore.
|
25 | Unë kam qenë fëmijë dhe tani jam plakur, por nuk e kam parë kurrë të drejtin të braktisur dhe pasardhësit e tij të lypin bukë.
|
26 | Ai ka mëshirë dhe jep kurdoherë hua; dhe pasardhësit e tij janë në bekim.
|
27 | Largohu nga e keqja dhe bëj të mirën, dhe do të kesh një banesë të përjetshme.
|
28 | Sepse Zoti e do drejtësinë dhe nuk ka për t`i braktisur kurrë shenjtorët e tij; ata do të ruhen përjetë, ndërsa pasardhësit e të pabesëve do të shfarosen.
|
29 | Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë gjithnjë mbi të.
|
30 | Nga goja e të drejtit del dituri dhe gjuha e tij flet për drejtësi.
|
31 | Ligji i Perëndisë të tij është në zemrën e tij; hapat e tij nuk do të lëkunden.
|
32 | I pabesi spiunon të drejtin dhe përpiqet ta vrasë.
|
33 | Zoti nuk do ta lërë në duart e tij dhe nuk do të lejojë që të dënohet, kur të gjykohet.
|
34 | Ki shpresë të patundur tek Zoti dhe ndiq rrugën tij, dhe ai do të të lartojë me qëllim që ti të trashëgosh tokën; kur të pabesët të jenë të shfarosur, ti do ta shikosh.
|
35 | E pashë njeriun e pushtetshëm dhe të furishëm të begatohet si një pemë e gjelbër në tokën e tij të lindjes,
|
36 | por pastaj u zhduk; dhe ja, nuk është më; e kërkova, por nuk e gjeta më.
|
37 | Ki kujdes për njeriun e ndershëm dhe këqyr njeriun e drejtë, sepse e ardhmja e këtij njeriu do të jetë paqja.
|
38 | Por shkelësit do të shkatërrohen të gjithë; në fund të pabesët do të dërrmohen.
|
39 | Por shpëtimi i të drejtëve vjen nga Zoti; ai është kështjella e tyre në kohën e fatkeqësisë.
|
40 | Dhe Zoti i ndihmon dhe i çliron; i çliron nga të pabesët dhe i shpëton, sepse kanë gjetur strehë tek ai.
|