| Chapter 74 |
1 | O Perëndi, pse na ke hedhur poshtë për gjithnjë? Pse vlon zemërimi yt kundër kopesë së kullotës sate?
|
2 | Kujto popullin tënd, që dikur e more, që ti e shpengove që të ishte fisi i trashëgimisë sate, të këtij mali të Sionit, mbi të cilin ke banuar.
|
3 | Drejto hapat e tua në këto rrënoja të pandreqshme; armiku i ka prishur të gjitha në shenjtërore.
|
4 | Armiqtë e tu vrumbullojnë në vendin e kuvendeve të tua; kanë vënë aty shenjat e tyre si flamuj.
|
5 | Dukej sikur godisnin me sëpata në pjesën e dëndur të një pylli.
|
6 | Dhe tani me sqeparë dhe çekane po prishin tërë skulpturat e tij.
|
7 | I kanë vënë zjarrin shenjtërores sate; kanë përdhosur banesën që mban emrin tënd, duke e hedhur poshtë.
|
8 | Kanë thënë në zemër të tyre: "T`i shkatërrojmë të gjithë"; kanë djegur tërë qendrat e kuvendeve të shenjta në vend.
|
9 | Ne nuk i shohim më shenjat tona; nuk ka më profet dhe midis nesh nuk ka asnjë që të dijë deri kur.
|
10 | Deri kur, o Perëndi, kundërshtari do të fyejë? Armiku vallë, do ta përçmojë emrin tënd përjetë?
|
11 | Pse e tërheq dorën tënde, pikërisht të djathtën? Nxirre nga gjiri yt dhe shkatërroji.
|
12 | Por Perëndia është mbreti im qysh prej kohëve të lashta; ai sjell shpëtimin mbi tokë.
|
13 | Me forcën tënde ndave detin dhe shtype kokën e përbindëshve të detit në ujërat.
|
14 | Copëtove kokat e Levitanëve dhe ia dhe për të ngrënë popullit të shkretëtirës.
|
15 | Bëre që të dalin burime dhe përrenj dhe thave lumenj të përhershëm.
|
16 | Jotja është dita, jotja është edhe nata; ti ke vendosur dritën dhe diellin.
|
17 | Ti ke caktuar tërë kufijtë e tokës dhe ke bërë verën dhe dimrin.
|
18 | Mbaje mend këtë, o Zot, që armiku të ka fyer dhe që një popull i pamend ka përbuzur emrin tënd.
|
19 | Mos ia braktis bishave jetën e turtulleshës sate; mos harro përjetë jetën e të përvuajturve të tu.
|
20 | Respekto besëlidhjen, sepse vendet e errëta të tokës janë plot me strofka dhune.
|
21 | Mos lejo që i shtypuri të kthehet i turpëruar; bëj që i përvuajturi dhe nevojtari të lëvdojnë emrin tënd.
|
22 | Çohu o Perëndi, mbro kauzën tënde! Mos harro që i pamendi të fyen tërë ditën.
|
23 | Mos harro britmën e armiqve të tu; zhurma e tyre që ngrihen kundër teje ngjitet vazhdimisht në qiell.
|