| Chapter 78 |
1 | Kushtoji kujdes, o populli im, ligjit tim; dëgjo fjalët e gojës sime.
|
2 | Do të hap gojën time për të thënë shëmbëlltyra, dhe kam për të paraqitur misteret e kohërave të lashta.
|
3 | Atë që ne kemi dëgjuar dhe kemi njohur, dhe që etërit tanë na kanë treguar,
|
4 | nuk do t`ua fshehim bijve të tyre, por do t`i tregojmë brezit të ardhshëm lavdet e Zotit, fuqinë e tij dhe mrekullinë që ai ka bërë.
|
5 | Ai ka vendosur një dëshmi te Jakobi dhe ka vënë një ligj në Izrael, dhe ka urdhëruar etërit tanë që t`ua bëjnë të njohura bijve të tyre,
|
6 | me qëllim që brezi i ardhshëm t`i njohë së bashku me bijtë që do të lindin; dhe këta nga ana e tyre t`ua tregojnë bijve të tyre,
|
7 | dhe të vendosin te Perëndia besimin e tyre dhe të mos harrojnë veprat e Perëndisë, por të respektojnë urdhërimet e tij;
|
8 | dhe të mos jenë si etërit e tyre, një brez kokëfortë dhe rebel, një brez me zemër të paqëndrueshme dhe me një frymë jo besnike ndaj Perëndisë.
|
9 | Bijtë e Efraimit, njerëz të luftës, harkëtarë të zotë, kthyen shpinën ditën e betejës,
|
10 | nuk respektuan besëlidhjen e Perëndisë dhe nuk pranuan të ecnin sipas ligjit të tij,
|
11 | harruan veprat e tij dhe mrekullitë që u kishte treguar.
|
12 | Ai bëri mrekulli në prani të etërve të tyre, në vendin e Egjiptit dhe në fushën e Tsoanit.
|
13 | Ai e ndau detin dhe i bëri të kalojnë në mes të tij, dhe i mblodhi ujërat si një grumbull.
|
14 | Ditën drejtoi me anë të resë dhe tërë natën me një dritë zjarri.
|
15 | I çau shkëmbinjtë në shkretëtirë dhe i bëri të pijnë boll, si të ishte uji i humnerës së madhe.
|
16 | Nxori rrëket nga shkëmbi dhe bëri që të rridhnin ujëra si lumenj.
|
17 | Por ata vazhduan të mëkatojnë kundër tij dhe të ngrejnë krye kundër Shumë të Lartit në shkretëtirë,
|
18 | dhe e tunduan Perëndinë në zemër të tyre, duke kërkuar ushqim sipas dëshirave të tyre.
|
19 | Dhe folën kundër Perëndisë, duke thënë: "A mund të shtrojë Perëndia një sofër në shkretëtirë?
|
20 | Ja, ai e goditi shkëmbin dhe prej tij dolën ujëra dhe vërshuan përrenj. A mund t`i japë bukë dhe mish popullit të tij?
|
21 | Dhe kështu Zoti i dëgjoi dhe u zemërua fort, dhe një zjarr u ndez kundër Jakobit dhe zemërimi kundër Izraelit u ndez,
|
22 | sepse nuk i kishin besuar Perëndisë dhe nuk kishin pasur besim në shpëtimin prej tij.
|
23 | Megjithatë ai i urdhëroi retë e sipërme dhe hapi dyert e qiellit,
|
24 | dhe bëri që mbi ta të binte mana për të ngrënë dhe u dha atyre grurin e qiellit.
|
25 | Njeriu hëngri bukën e engjëjve; ai u dërgoi atyre ushqime sa të ngopeshin.
|
26 | Ai bëri të ngrihet në qiell era e lindjes dhe në sajë të fuqisë së tij bëri të ngrihet era e jugut,
|
27 | bëri të binin mbi ta mish si pluhuri dhe zogj si rëra e detit.
|
28 | Bëri që këto të binin në mes të kampit të tyre, rreth çadrave të tyre.
|
29 | Kështu ata hëngrën sa u ngopën, sepse Perëndia u kishte siguruar atyre atë që ata kishin dëshiruar.
|
30 | Ata nuk kishin akoma kënaqur pangopësinë e tyre dhe kishin akoma ushqim në gojë,
|
31 | kur zemërimi i Perëndisë shpërtheu kundër tyre, vrau më të fuqishmit prej tyre dhe rrëzoi më të mirët e Izraelit.
|
32 | Megjithatë ata vazhduan të mëkatojnë dhe nuk u besuan mrekullive të tij.
|
33 | Atëherë ai harxhoi ditët e tyre në kotësi dhe vitet e tyre në tmerre të papritura.
|
34 | Kur i vriste, ata e kërkonin dhe ktheheshin të kërkonin Perëndinë me zell.
|
35 | Kujtoheshin që Perëndia ishte Kështjella e tyre dhe që Perëndia shumë i larti ishte Shpëtimtari i tyre.
|
36 | Por ata e mashtronin me gojën e tyre dhe e gënjenin me gjuhën e tyre.
|
37 | Në fakt zemra e tyre nuk ishte e qëndrueshme ndaj tij dhe ata nuk ishin besnikë ndaj besëlidhjes së tij.
|
38 | Por ai, që është i mëshirshëm, ua fali paudhësinë e tyre dhe nuk i shkatërroi, dhe shumë herë përmbajti zemërimin e tij dhe nuk e la indinjatën e tij të shpërthejë,
|
39 | duke mbajtur mend që ata ishin mish, një frymë që kalon dhe nuk kthehet më.
|
40 | Sa herë provokuan indinjatën e tij në shkretëtirë dhe e hidhëruar në vetmi!
|
41 | Po, ata iu drejtuan Perëndisë shumë herë dhe përsëri e provokuan të Shenjtin e Izraelit.
|
42 | Nuk e kujtuan më fuqinë e tij as ditën që i kishte çliruar nga armiku,
|
43 | kur ai kishte bërë mrekullitë e tij në Egjipt dhe në fushën e Tsoanit;
|
44 | i kishte shndërruar lumenjtë dhe rrjedhat e ujit të Egjiptasve në gjak, me qëllim që të mos pinin dot.
|
45 | Kishte dërguar kundër tyre mizëri mizash që t`i hanin dhe bretkosa që t`i shkatërronin.
|
46 | Ua kishte dhënë të korrat e tyre krimbave dhe frytin e mundit të tyre karkalecave.
|
47 | I kishte shkatërruar vreshtat e tyre me breshër dhe fiqtë e tyre të Egjiptit me ngrica.
|
48 | Kishte braktisur bagëtinë e tyre në mëshirë të breshërit dhe kopetë e tyre në mëshirë të rrufeve.
|
49 | Kishte lëshuar mbi ta zjarrin e zemërimit të tij, indinjatën, inatin dhe fatkeqësinë, një turmë lajmëtarësh të fatkeqësisë.
|
50 | I kishte hapur udhën zemërimit të tij dhe nuk i kishte kursyer nga vdekja, por ia kishte braktisur jetën e tyre murtajës.
|
51 | I kishte goditur në Egjipt gjithë të parëlindurit dhe prodhimet e para në çadrat e Kamit.
|
52 | Por e kishte bërë popullin e tij të ikte si bagëtia dhe e kishte çuar nëpër shkretëtirë sikur të ishte një kope.
|
53 | I kishte udhëhequr me siguri dhe ata nuk patën frikë, por deti i kishte përpirë armiqtë e tyre.
|
54 | Dhe ai i solli kështu në tokën e tij të shenjtë, në malin që dora e djathtë e tij kishte pushtuar.
|
55 | I dëboi kombet para tyre dhe u caktoi atyre me short trashëgiminë, dhe bëri që fiset e Izraelit të banonin në çadrat e tyre.
|
56 | Por ata u orvatën dhe provokuan indinjatën e Perëndisë shumë të lartë dhe nuk respektuan statutet e tij.
|
57 | U tërhoqën madje prapa dhe u suallën në mënyrë të pabesë ashtu si etërit e tyre, dhe devijuan si një hark që gabon;
|
58 | provokuan zemërimin e tij me vendet e tyre të larta dhe e bënë ziliqar me skulpturat e tyre.
|
59 | Perëndia dëgjoi dhe u zemërua, dhe ndjeu një neveri të madhe për Izraelin.
|
60 | Kështu ai braktisi tabernakullin e Shilohut, çadrën që kishte ngritur midis njerëzve;
|
61 | dhe e la forcën e tij të bjerë rob dhe lavdinë e tij në dorë të armikut.
|
62 | Ia braktisi popullin e tij shpatës dhe u zemërua shumë kundër trashëgimisë së tij.
|
63 | Zjarri i konsumoi të rinjtë e tyre dhe virgjëreshat e tyre nuk patën asnjë këngë dasme.
|
64 | Priftërinjtë e tyre u vranë nga shpata dhe gratë e reja nuk mbajtën zi.
|
65 | Pastaj Zoti u zgjua si nga gjumi, ashtu si një trim që bërtet nën ndikimin e verës.
|
66 | I goditi armiqtë e tij në kurriz dhe i mbuloi me një turp të përjetshëm.
|
67 | Hodhi poshtë çadrën e Jozefit dhe nuk zgjodhi fisin e Efraimit,
|
68 | por zgjodhi fisin e Judës, malin e Sionit, që ai e do.
|
69 | Ndërtoi shenjtëroren e tij, ashtu si vëndet shumë të larta, ashtu si tokat që ka krijuar përjetë.
|
70 | Dhe zgjodhi Davidin, shërbëtorin e tij, dhe e mori nga vatha e dhenve,
|
71 | dhe e mori nga delet që mëndnin për të kullotur Jakobin, popullin e tij dhe Izraelin, trashëgiminë e tij.
|
72 | Dhe ai bëri që të kullosnin me ndershmërinë e zemrës së tyre dhe i udhëhoqi me shkathtësinë e duarve të tij.
|