| Chapter 89 |
1 | Unë do të këndoj përjetë mirësitë e Zotit, me gojën time do t`u shpall besnikërinë tënde të gjitha brezave.
|
2 | Sepse kam thënë: "Mirësia jote do të ekzistojë përjetë, ti do të vendosësh besnikërinë tënde në vetë qiejtë".
|
3 | "Unë kam lidhur një besëlidhje me të zgjedhurin tim, i jam betuar Davidit, shërbëtorit tim, duke thënë:
|
4 | "Do t`i vendos pasardhësit e tu përjetë dhe do të ndërtoj fronin tënd për të gjitha brezat"". (Sela)
|
5 | Dhe qiejtë do të kremtojnë mrekullitë e tua, o Zot, dhe besnikërinë tënde në kuvendin e shenjtorëve.
|
6 | Sepse kush mund të krahasohet në qiell me Zotin? Dhe kush është i njëllojtë me Zotin midis bijve të të Fuqishmit?
|
7 | Perëndisë ia kanë frikën shumë në kuvendin e shenjtorëve, dhe respektohet thellë nga tërë ata që e rrethojnë.
|
8 | O Zot, Perëndi i ushtrive, kush është i fuqishëm si ti, o Zot? Besnikëria jote të rrethon kudo.
|
9 | Ti e sundon tërbimin e detit; kur valët e tij ngrihen, ti i qetëson.
|
10 | Ti e ke bërë copë-copë Egjiptin, duke e plagosur për vdekje; me krah të fuqishëm ke shpërndarë armiqtë e tu.
|
11 | Qiejtë janë të tutë, edhe toka është jotja; ti e ke krijuar botën dhe të gjitha atë që janë në të.
|
12 | Ti ke krijuar veriun dhe jugun; Tabori dhe Hermoni lëshojnë britma gëzimi kur dëgjojnë emrin tënd.
|
13 | Ti ke krah të fuqishëm; dora jote është e fortë, e djathta jote ngrihet në qiell.
|
14 | Drejtësia dhe e drejta përbëjnë bazën e fronit tënd; mirësia dhe e vërteta shkojnë përpara fytyrës sate.
|
15 | Lum ai popull që njeh britmën e gëzimit, o Zot, sepse ai do të ecë në dritën e fytyrës sate;
|
16 | do të ngazëllojë tërë ditën me emrin tënd dhe do të gëzohet shumë në drejtësinë tënde.
|
17 | Po, ti je mburrja e forcës së tyre, dhe me favorin tënd ti e shton fuqinë tonë.
|
18 | Sepse mburoja jonë i përket Zotit dhe mbreti ynë të Shenjtit të Izraelit.
|
19 | Ti i fole atëherë në vegim të dashurit tënd dhe the: "Ndihmova një të fuqishëm, përlëvdova një të zgjedhur nga populli.
|
20 | Gjeta Davidin, shërbëtorin tim, dhe e vajosa me vajin tim të shenjtë.
|
21 | Dora ime do ta përkrahë me vendosmëri dhe krahu im do ta forcojë.
|
22 | Armiku nuk do ta shtypë dhe i ligu nuk do ta pikëllojë.
|
23 | Do të asgjesoj para tij armiqtë e tij dhe do të godas ata që e urrejnë.
|
24 | Besnikëria ime dhe mirësia ime do të jenë me të, dhe me emrin tim do të bëhet i fuqishëm.
|
25 | Do ta shtrij dorën e tij mbi detin dhe dorën e djathtë të tij mbi lumenjtë.
|
26 | Ai do të kërkojë ndihmën time, duke thënë: "Ti je Ati im, Perëndia im dhe Kështjella ime e shpëtimit".
|
27 | Do ta bëj gjithashtu të parëlindurin tim, më të shkëlqyerin ndër mbretërit e dheut.
|
28 | Do të përdor mirësi ndaj tij përjetë, dhe besëlidhja ime me të do të mbetet e qëndrueshme.
|
29 | Do t`i bëj gjithashtu pasardhësit e tij të përjetshem dhe fronin e tij si ditët e qiejve.
|
30 | Në rast se bijtë e tij braktisin ligjin tim dhe nuk ecin, sipas urdhërimeve të mia,
|
31 | në rast se shkelin statutet e mia dhe nuk respektojnë urdhërimet e mia,
|
32 | unë do ta dënoj shkeljen e tyre me shufër dhe paudhësinë e tyre me të rrahura,
|
33 | por nuk do ta heq mirësinë time prej tij dhe nuk do të lë që besnikëria ime të jetë e mangët.
|
34 | Nuk do të shkel besëlidhjen time dhe nuk do t`i ndryshoj fjalët që kanë dalë nga goja ime.
|
35 | Jam betuar një herë për shenjtërinë time dhe nuk do ta gënjej Davidin;
|
36 | pasardhësit e tij do të jenë përjetë dhe froni i tij do të jetë si dielli para meje,
|
37 | do të jenë të qëndrueshëm si hëna, dhe dëshmitari në qiell është besnik". (Sela)
|
38 | Por ti na ke braktisur dhe na ke kthyer; je zemëruar shumë kundër të vajosurin tënd.
|
39 | Ti ke përçmuar besëlidhjen e lidhur me shërbëtorin tënd dhe ke përdhosur kurorën e tij, duke bërë që të bjerë për tokë.
|
40 | Ke shembur gjithë mbrojtjet e tij dhe i ke katandisur në gërmadha kalatë e tij.
|
41 | Tërë kalimtarët e kanë plaçkitur dhe ai është bërë gazi i fqinjëve të tij.
|
42 | Ke lavdëruar dorën e djathtë të kundërshtarëve të tij dhe ke bërë të gëzohen tërë armiqtë e tu.
|
43 | Ke prishur tehun e shpatës së tij dhe nuk e ke ndihmuar në betejë.
|
44 | I ke dhënë fund madhështisë së tij dhe ke hedhur për tokë fronin e tij.
|
45 | Ke shkurtuar ditët e rinisë së tij dhe e ke mbuluar me turp. (Sela)
|
46 | Deri kur, o Zot? A do të fshihesh ti përjetë? A do të flakërojë si zjarr zemërimi yt?
|
47 | Kujto sa e shkurtër është jeta ime. Për çfarë kotësie ke krijuar gjithë bijtë e njerëzve?
|
48 | Cili është njeriu që jeton, pa parë vdekjen dhe që mund ta shkëputë jetën e tij nga pushteti Sheolit? (Sela)
|
49 | Ku janë, o Zot, mirësitë e tua të lashta, për të cilat iu betove Davidit në besnikërinë tënde?
|
50 | Kujto, o Zot, fyerjen që iu bë shërbëtorëve të tu, dhe si unë mbaj në zemër fyerjen e rëndë të të gjitha kombeve,
|
51 | me të cilën armiqtë e tu kanë fyer, o Zot, me të cilën kanë fyer hapat e të vajosurit tënd.
|
52 | I bekuar qoftë Zoti përjetë. Amen, po, amen!
|