| Chapter 90 |
1 | O Zot, ti ke qenë për ne një strehë brez pas brezi.
|
2 | Para se të kishin lindur malet dhe para se ti të kishe formuar tokën dhe botën, madje nga mot dhe përjetë ti je Perëndia.
|
3 | Ti e kthen njeriun në pluhur dhe thua: "Kthehuni, o bij të njerëzve".
|
4 | Sepse një mijë vjet në sytë e tu janë si dita e djeshme që ka kaluar, ose sikur të gdhish një natë.
|
5 | Ti i përlan si një përmbytje. Ato janë si një ëndërr, janë si barr që gjelbëron në mëngjes.
|
6 | Në mëngjes ai lulëzon dhe gjelbëron, në mbrëmje kositet dhe thahet.
|
7 | Sepse jemi të konsumuar nga zemërimi yt dhe jemi të tmerruar nga tërbimi yt.
|
8 | Ti i vë fajet tona para teje, mëkatet tona të fshehta në dritën e fytyrës sate.
|
9 | Sepse tërë ditët tona zhduken në zemërimin tënd; ne po i mbarojmë vitet tona si një psherëtimë.
|
10 | Ditët e viteve tona shkojnë deri në shtatëdhjetë vjet dhe për më të fortët në tetëdhjetë, por ajo që përbën krenarinë e tyre nuk është veçse mundim dhe dëshirë për t`u dukur, sepse kalon me të shpejtë dhe ne fluturojmë tutje.
|
11 | Kush e njeh forcën e zemërimit tënd dhe mërinë tënde sipas frikës që duhet pasur prej teje?
|
12 | Na mëso, pra, të numërojmë ditët tona për të pasur një zemër të urtë.
|
13 | Kthehu, o Zot! Deri kur? Dhe ki mëshirë për shërbëtorët e tu.
|
14 | Na ngop në mëngjes me mirësinë tënde, dhe ne do të ngazëllojmë dhe do të kënaqemi në të gjitha ditët tona.
|
15 | Na gëzo në përpjestim me ditët që na ke pikëlluar dhe në kompensim të viteve që kemi vuajtur nga fatkeqësitë.
|
16 | Qoftë e qartë vepra jote shërbëtorëve të tu dhe lavdia jote bijve të tyre.
|
17 | Hiri i Zotit Perëndisë tonë qoftë mbi ne dhe e bëftë të qëndrueshme veprën e duarve tona; po, bëje të qëndrueshme veprën e duarve tona.
|