| Chapter 94 |
1 | O Perëndi i hakmarrjes, o Zot, Perëndi i hakmarrjeve, shkëlqe.
|
2 | Çohu, o gjykatës i tokës, dhe jepu shpërblimin mëndjemëdhenjve.
|
3 | Deri kur të pabesët, o Zot, deri kur të pabesët do të triumfojnë?
|
4 | Ata vjellin fjalë dhe mbajnë fjalime të paturpshme; të gjithë ata që kryejnë paudhësi flasin me arrogancë.
|
5 | Ata marrin nëpër këmbë popullin tënd, o Zot, dhe shtypin trashëgiminë tënde.
|
6 | Vrasin gruan e ve dhe të huajin, dhe vrasin jetimët,
|
7 | dhe thonë: "Zoti nuk shikon, Perëndia i Jakobit nuk kupton".
|
8 | Kërkoni të kuptoni, o njerëz të pamend midis popullit; dhe ju budallenj, kur do të bëheni të zgjuar?
|
9 | Ai që ka vënë veshin, a nuk dëgjon? Ai që ka formuar syrin, a nuk shikon?
|
10 | Ai që ndreq kombet, a nuk do t`i dënojë ata, ai që i mëson diturinë njeriut?
|
11 | Zoti i njeh mendimet e njeriut dhe e di që nuk janë veçse kotësi.
|
12 | Lum ai njeri që ti ndreq, o Zot, dhe që ti mëson sipas ligjit tënd,
|
13 | për t`i dhënë prehje në ditët e fatkeqësisë, deri sa t`i hapet gropa të pabesit.
|
14 | Sepse Zoti nuk ka për të hedhur poshtë popullin e tij dhe nuk ka për të braktisur trashëgiminë e tij.
|
15 | Gjykimi do të mbështetet përsëri mbi drejtësinë, dhe tërë ata që janë të drejtë nga zemra do t`i shkojnë pas.
|
16 | Kush do të ngrihet në favorin tim kundër njerëzve të këqij? Kush do të më dalë krah kundër atyre që kryejnë paudhësi?
|
17 | Në qoftë se Zoti nuk do të më kishte ndihmuar, do të kisha përfunduar shpejt në vendin e heshtjes.
|
18 | Kur thashë: "Këmba ime ngurron", mirësia jote, o Zot, më ka përkrahur.
|
19 | Kur një numër i madh shqetësimesh më mbysnin, përdëllimet e tua më jepnin zemër.
|
20 | Do të jetë vallë aleati yt gjykata e padrejtë, që thur padrejtësi në emër të ligjit?
|
21 | Ata mblidhen tok kundër të drejtit dhe dënojnë gjakun e pafajshëm.
|
22 | Por Zoti është kështjella ime dhe Perëndia im është kalaja në të cilën gjej strehë.
|
23 | Ai do të lëshojë mbi ta ligësinë e tyre dhe do t`i bëjë të vdesin për shkak të paudhësisë së tyre; Zoti, Perëndia ynë, do t`i shkatërrojë.
|