| Chapter 104 |
1 | Beko, o shpirti im, Zotin! O Zot, Perëndia im, ti je jashtëzakonisht i madh; je veshur me shkëlqim dhe madhështi.
|
2 | Ai të mbështjell me dritë si të ishte një mantel dhe i shtrin qiejtë si një çadër;
|
3 | ai ndërton mbi ujërat dhomat e tij të larta, i bën retë si qerren e tij dhe ecën mbi krahët erës.
|
4 | I bën erërat lajmëtarë të tij dhe flakët e zjarrit shërbëtorë të tij.
|
5 | Ai e ka krijuar tokën mbi themelet e saj; kjo nuk do të luajë kurrë përjetë.
|
6 | Ti e kishe mbuluar me humnerë si me një rrobe; ujërat ishin ndalur mbi malet.
|
7 | Në qortimin tënd ato ikën, në zërin e gjëmimit tënd u larguan me nxitim.
|
8 | Dolën malet dhe luginat u ulën në vendin që ti kishe caktuar për to.
|
9 | Ti u vure ujërave një kufi që nuk duhet ta kapërxenin; ato nuk do të kthehen më të mbulojnë tokën.
|
10 | Ai bën që të dalin burime në luginat; ato rrjedhin midis maleve,
|
11 | dhe u japin për të pirë tërë kafshëve të fushës; gomarët e egër shuajnë etjen e tyre.
|
12 | Pranë tyre banojnë shpendët e qiellit; midis gjelbërimeve lartojnë këngën e tyre.
|
13 | Nga dhomat e sipërme të tij ai u jep ujë maleve; toka ngopet me frytin e veprave të tua.
|
14 | Ai bën që të rritet bari për bagëtinë dhe bimësia në shërbim të njeriut, duke nxjerrë nga toka ushqimin e tij,
|
15 | dhe verën që gëzon zemrën e njeriut, vajin që bën të shkëlqejë fytyra tij dhe bukën që i jep forcë zemrës së njeriut.
|
16 | Kështu ngopen drurët e Zotit dhe kedrat e Libanit që ai ka mbjellë;
|
17 | aty bëjnë folenë e tyre zogjtë, ndërsa lejleku bën nëpër selvitë banesën e tij.
|
18 | Malet e larta janë për dhitë e egra, shkëmbinjtë janë streha e lepujve.
|
19 | Ai ka bërë hënën për stinët, dielli e di orën e perëndimit të tij.
|
20 | Ti dërgon terrin dhe bëhet natë; gjatë asaj shkojnë rreth e qark gjithë kafshët e pyllit.
|
21 | Luanët e vegjël vrumbullojnë duke kërkuar gjahun dhe i kërkojnë Perëndisë ushqimin e tyre.
|
22 | Por, kur lind dielli, ata tërhiqen dhe rrinë në strofkat e tyre.
|
23 | Atëherë njeriu del për të punuar dhe punon deri në mbrëmje.
|
24 | Sa të shumta janë veprat e tua, o Zot! Ti i ke bërë të gjitha me dituri; toka është plot me pasuritë e tua.
|
25 | Ja deti, i madh dhe i gjerë, ku gëlojnë krijesa të panumërta;
|
26 | e përshkojnë anijet dhe Leviathani, që ti ke formuar për t`u tallur në të.
|
27 | Të gjithë presin që ti t`u japësh ushqimin në kohën e duhur.
|
28 | Ti ua jep atyre dhe ata e mbledhin; ti hap dorën dhe ngopen me të mira.
|
29 | Ti fsheh fytyrën tënde dhe ata e humbasin fare; ti heq frymën, dhe ata vdesin duke u kthyer përsëri në pluhurin e tyre.
|
30 | Ti dërgon frymën tënde dhe ata krijohen, kështu ti ripërtërin faqen e dheut.
|
31 | Lavdia e Zotit të rrojë përjetë; le të gëzohet Zoti me veprat e tij;
|
32 | ai shikon tokën dhe kjo dridhet; ai prek malet dhe ato nxjerrin tym.
|
33 | Unë do t`i këndoj Zotit deri sa të kem jetë; do t`i këndoj lavde Perëndisë tim deri sa të jem.
|
34 | Le të jetë mendimi im i pëlqyer prej tij; unë do të ngazëllohem tek Zoti.
|
35 | Le të zhduken mëkatarët nga toka dhe të pabesët mos qofshin më. Shpirti im, bekoje Zotin! Aleluja.
|