Albanian Bible

Fjalët e urta 15

Fjalët e urta

Return to Index

Chapter 16

1

Prirjet e zemrës i përkasin njeriut, por përgjigja e gjuhës vjen nga Zoti.

2

Të gjitha rrugët e njeriut janë të pastra në sytë e tij, por Zoti i peshon frymët.

3

Besoja Zotit veprimet e tua dhe planet e tua do të realizohen.

4

Zoti ka bërë çdo gjë për vete të tij, edhe të pabesin për ditën e fatkeqësisë.

5

Ai që është zemërkrenar është i neveritshëm për Zotin; edhe sikur t`i shtrëngojë dorën një tjetri për besëlidhje, nuk ka për të mbetur pa u ndëshkuar.

6

Me mirësinë dhe me të vërtetën padrejtësia shlyhet, dhe me frikën e Zotit njeriu largohet nga e keqja.

7

Kur Zotit i pëlqejnë rrugët e një njeriu, ai bën që edhe armiqtë e tij të bëjnë paqe me të.

8

Më mirë të kesh pak me drejtësi, se sa të ardhura të mëdha pa drejtësi.

9

Zemra e njeriut programon rrugën e tij, por Zoti drejton hapat e tij.

10

Mbi buzët e mbretit është një vendim hyjnor; gjatë gjykimit goja e tij nuk duhet të gabojë.

11

Kandari dhe peshoret e sakta janë të Zotit, të gjitha gurët e peshës janë vepër e tij.

12

Éshtë një gjë e neveritshme për mbretërit të bëjnë të keqen, sepse froni bëhet i qëndrueshëm me drejtësinë.

13

Buzët e drejta u pëlqejnë mbretërve; ata e duan atë që flet drejt.

14

Zemërimi i mbretit është si lajmëtari i vdekjes, por njeriu i urtë do ta qetësojë atë.

15

Në dritën e fytyrës së mbretit ka jetë, dhe favori i tij është si reja e shiut të fundit.

16

Éshtë më mirë të fitosh dituri se sa ar, dhe të fitosh mënçuri se sa argjend.

17

Rruga kryesore e njerëzve të drejtë është të evitojnë të keqen; ai që do ta ruajë shpirtin e tij mbikqyr rrugën e tij.

18

Përpara shkatërrimit vjen kryelartësia dhe përpara rrëzimit fryma krenare.

19

Më mirë të kesh frymë të përulur me të mjerët se sa të ndash prenë me krenarët.

20

Kush i kushton kujdes Fjalës do të gjejë të mirën, dhe kush i beson Zotit është i lumtur.

21

I urti nga zemra do të quhet i matur, dhe ëmbëlsia e buzëve e shton diturinë.

22

Mendja është një burim jete për atë që e zotëron, por budallallëku është dënimi i budallenjve.

23

Zemra e të urtit e bën të mençur gojën e tij dhe e shton diturinë e buzëve të tij.

24

Fjalët e ëmbla janë si një huall mjalti, ëmbëlsi për shpirtin dhe ilaç për kockat.

25

Ka një rrugë që njeriut i duket e drejtë, por në fund ajo të nxjerr në udhët e vdekjes.

26

Personi që lodhet, lodhet për veten e tij, sepse goja e tij e nxit.

27

Njeriu i keq kurdis të keqen dhe mbi buzët e tij ka si një zjarr të ndezur.

28

Njeriu i çoroditur mbjell grindje dhe ai që shpif përçan miqtë më të mirë.

29

Njeriu i dhunës e josh shokun e vet dhe e çon nëpër një rrugë jo të mirë.

30

Kush mbyll sytë për të kurdisur gjëra të këqija, kafshon buzët kur shkakton të keqen.

31

Flokët e bardha janë një kurorë lavdie; atë e gjejmë në rrugën e drejtësisë.

32

Kush nuk zemërohet shpejt vlen më tepër se një luftëtar i fortë, dhe ai që e urdhëron frymën e tij vlen më tepër se ai që mposht një qytet.

33

Shorti hidhet që në barkun e nënës, por çdo veprim varet nga Zoti.

Fjalët e urta 17

 

 

 

HTMLBible Software - Public Domain Software by johnhurt.com

 


Other Items are Available At These Sites: