| Chapter 31 |
1 | Fjalë të mbretit Lemuel, mesazhi profetik me të cilin e mësoi e ëma.
|
2 | Çfarë të të them, biri im? Çfarë të të them, biri i barkut tim? Çfarë të të them, bir i zotimeve të mia?
|
3 | Mos ua jep forcën tënde grave as jetën tënde asaj që shkatërron mbretërit.
|
4 | Nuk u shkon mbretërve, o Lemuel, nuk u shkon mbretërve të pinë verë as princave të dëshirojnë pije dehëse,
|
5 | sepse duke pirë të mos harrojnë ligjin dhe të mos shtrembërojnë të drejtën e të pikëlluarve.
|
6 | Jepini pije dehëse atij që është duke vdekur dhe verë atij që e ka zemrën të hidhëruar.
|
7 | Le të pijë për të harruar varfërinë e tij dhe për të mos kujtuar më hallet e tij.
|
8 | Hape gojën tënde në favor të memecit, në mbrojtje të të gjithë atyre që janë lënë pas dore.
|
9 | Hape gojën tënde, gjyko me drejtësi dhe mbro çështjen e të mjerit dhe të nevojtarit.
|
10 | Kush do të gjejë një grua të fortë dhe të virtytshme? Vlera e saj është shumë më e madhe nga ajo e margaritarëve.
|
11 | Zemra e burrit të saj ka besim tek ajo, dhe do të ketë gjithnjë fitime.
|
12 | Ajo i bën të mira dhe jo të keqe tërë ditët e jetës së saj.
|
13 | Gjen lesh dhe li dhe punon me gëzim me duart e veta.
|
14 | Ajo u përngjan anijeve të tregëtarëve: e sjell ushqimin e saj nga larg.
|
15 | Çohet që me natë për t`i ndarë ushqimin familjes së saj dhe për t`u dhënë urdhërat e nevojshme shërbëtoreve të saj.
|
16 | Ajo shikon një arë dhe e ble; me duart e saj mbjell një vresht.
|
17 | Ngjesh me forcë ijët dhe i bën më të fortë krahët e saj.
|
18 | E kupton që tregëtia e saj po shkon mbarë dhe llamba e saj e natës nuk i shuhet.
|
19 | Shtrin dorën mbi furkën, pëllëmbat e saj zënë boshtin.
|
20 | I shtrin dorën të varfërit dhe i jep dorën nevojtarit.
|
21 | Nuk i trembet borës për familjen e saj, sepse tërë ata të shtëpisë së vet kanë një veshje të dyfishtë.
|
22 | Bën për vete mbulesa si sixhade dhe rrobat e saj janë prej liri shumë të hollë dhe të purpurta.
|
23 | Burri i saj nderohet te porta, kur ulet bashkë me pleqtë e vendit.
|
24 | Përgatit rroba prej liri dhe i shet, i furnizon me breza tregtarët.
|
25 | Forca dhe nderi janë rrobat e saj dhe qesh për ditët që do të vijnë.
|
26 | Hap gojën e saj me dituri dhe mbi gjuhën e saj është ligji i mirësisë.
|
27 | Ajo mbikqyr si shkon shtëpia e vet dhe nuk ha bukën e përtacisë.
|
28 | Bijtë e saj ngrihen dhe e shpallin fatlume; edhe burri i saj e lëvdon duke thënë:
|
29 | "Shumë bija kanë bërë gjëra të mëdha, por ti i kalon të gjitha ato".
|
30 | Hiri është i rremë dhe bukuria është e kotë, por gruaja që ka frikë nga Zoti është ajo që do të lëvdohet.
|
31 | I jepni frytin e duarve të saj, dhe vet veprat e saj le ta lëvdojnë te portat.
|