| Chapter 5 |
1 | Kujto, o Zot, atë që na ka ndodhur, shiko dhe vër re turpin tonë.
|
2 | Trashëgimia jonë u ka kaluar të huajve, shtëpitë tona njerëzve që nuk janë tanët.
|
3 | Ne u bëmë jetimë, pa etër, nënat tona janë si të veja.
|
4 | Duhet të paguajmë për ujët që pimë, drutë tona i kemi vetëm me pagesë.
|
5 | Na ndjekin me një zgjedhë mbi qafë, jemi të rraskapitur dhe nuk kemi fare pushim.
|
6 | I kemi shtrirë dorën Egjiptit dhe Asirisë për t`u ngopur me bukë.
|
7 | Etërit tanë kanë mëkatuar dhe nuk janë më, dhe ne mbajmë ndëshkimin për paudhësitë e tyre.
|
8 | Skllevërit sundojnë mbi ne, askush nuk mund të na çlirojë nga duart e tyre.
|
9 | E nxjerrim bukën duke rrezikuar jetën tonë, përpara shpatës së shkretëtirës.
|
10 | Lëkura jonë është ngrohur si në një furrë për shkak të valës së urisë.
|
11 | Kanë dhunuar gratë në Sion, virgjëreshat në qytetet e Judës.
|
12 | Krerët janë varur nga duart e tyre, personi i pleqëve nuk është respektuar.
|
13 | Të rinjtë i vunë të bluajnë, të vegjëlit u rrëzuan nën barrën e druve.
|
14 | Pleqtë nuk mblidhen më te porta, të rinjtë nuk u bien më veglave të tyre.
|
15 | Gëzimi i zemrave tona është pakësuar, vallja jonë është shndërruar në zi.
|
16 | Kurora ka rënë nga koka jonë; mjerë ne, sepse kemi mëkatuar!
|
17 | Prandaj u sëmur zemra jonë, për këto gjëra na janë errësuar sytë:
|
18 | për malin e Sionit që është i shkretuar dhe në të cilin sillen dhelprat.
|
19 | Por ti, o Zot, mbetesh për jetë, dhe froni yt brez pas brezi.
|
20 | Pse do të na harroje për jetë dhe do të na braktisje për një kohë të gjatë?
|
21 | Na bëj që të rikthehemi te ti, o Zot, dhe ne do të kthehemi; rivendos ditët tona si në të kaluarën.
|
22 | Mos vallë na hodhe poshtë fare apo je zemëruar me të madhe kundër nesh?
|