| Chapter 14 |
1 | Në atë kohë Herodi, tetrarku, mori vesh famën e Jezusit,
|
2 | dhe u tha shërbëtorëve të vet: ``Ky është Gjon Pagëzori; ai u ngjall së vdekuri dhe prandaj fuqitë e mbinatyrshme veprojnë në të``.
|
3 | Herodi, në fakt, e kishte arrestuar Gjonin, i kishte hedhur prangat dhe e kishte futur në burg, për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, vëllait të vet.
|
4 | Sepse Gjoni i thoshte: ``Nuk është e lejueshme të bashkëjetosh me të!``.
|
5 | Dhe, ndonëse donte ta vriste, Herodi kishte frikë nga populli që e konsideronte Gjonin profet.
|
6 | Kur po festohej ditëlindja e Herodit, e bija e Herodiadës vallëzoi përpara tij dhe i pëlqeu Herodit
|
7 | aq shumë, sa ai i premtoi asaj me betim se do t`i jepte çfarëdo që t`i kërkonte.
|
8 | Dhe ajo, e shtyrë nga e ëma, tha: ``Ma jep këtu, mbi një pjatë, kokën e Gjon Pagëzorit``.
|
9 | Mbretit i erdhi keq, po për shkak të betimit dhe të ftuarve që ishin me të në tryezë, urdhëroi që t`ia japin.
|
10 | Kështu dërgoi dikë për t`i prerë kokën Gjon Pagëzorit në burg;
|
11 | dhe kokën e tij e prunë mbi një pjatë dhe ia dhanë vajzës; ajo ia çoi s`ëmës.
|
12 | Pastaj erdhën dishepujt e tij, e morën trupin dhe e varrosën, mandej ata shkuan dhe ia treguan ngjarjen Jezusit.
|
13 | Kur Jezusi i dëgjoi këto, u nis që andej me një barkë dhe u tërhoq në vetmi, në një vend të shkretë. Dhe turmat, kur e morën vesh, e ndiqnin në këmbë nga qytetet.
|
14 | Dhe Jezusi, kur doli nga barka, pa një turmë të madhe, pati dhembshuri për të dhe shëroi ata që ishin të sëmurë.
|
15 | Pastaj në mbrëmje dishepujt e tij iu afruan dhe i thanë: ``Ky vend është i shkretë dhe u bë vonë; lejo turmat të shkojnë nëpër fshatra për të blerë ushqime``.
|
16 | Por Jezusi u tha atyre: ``Nuk është nevoja të shkojnë; u jepni juve të hanë``.
|
17 | Dhe ata i thanë: ``Ne këtu nuk kemi tjetër përveç pesë bukë dhe dy peshq``.
|
18 | Dhe ai u tha: ``M`i sillni këtu``.
|
19 | Atëherë i urdhëroi që turmat të ulen mbi bar; pastaj i mori pesë bukët dhe dy peshqit dhe, pasi i çoi sytë drejt qiellit, i bekoi; i ndau bukët dhe ua dha dishepujve, dhe dishepujt turmave.
|
20 | Dhe të gjithë hëngrën dhe u ngopën; pastaj dishepujt mblodhën tepricat në dymbëdhjetë kosha plot.
|
21 | Dhe ata që hëngrën ishin rreth pesë mijë burra, pa i numëruar gratë dhe fëmijët.
|
22 | Fill pas kësaj Jezusi i detyroi dishepujt e vet të hyjnë në barkë dhe t`i prijnë në bregun tjetër, deri sa ai t`i lëshojë turmat.
|
23 | Mbasi i nisi ato, u ngjit vetëm mbi mal për t`u lutur. Dhe kur u ngrys ai gjëndej aty, i vetëm fare.
|
24 | Ndërkaq barka ndodhej në mes të detit; dhe përplasej nga valët sepse era i ishte e kundërt.
|
25 | Në rojën e katërt të natës, Jezusi shkoi drejt tyre, duke ecur mbi det.
|
26 | Dishepujt duke parë atë që po ecte mbi det, u trembën dhe thanë: ``Éshtë një fantazmë!``. Dhe filluan të bërtasin nga frika;
|
27 | por menjëherë Jezusi u foli atyre duke thënë: ``Qetësohuni; jam unë, mos kini frikë!``.
|
28 | Dhe Pjetri, duke u përgjigjur tha: ``Zot, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti mbi ujëra``.
|
29 | Ai tha: ``Eja!``. Dhe Pjetri zbriti nga barka dhe eci mbi ujëra, për të shkuar te Jezusi.
|
30 | Por, duke parë erën e fortë, kishte frikë, dhe duke filluar të fundosej, bërtiti duke thënë: ``O Zot, shpëtomë!``.
|
31 | Dhe Jezusi ia zgjati menjëherë dorën, e zuri dhe i tha: ``O njeri besimpak, pse dyshove?``.
|
32 | Pastaj, kur hynë në barkë, era pushoi.
|
33 | Atëherë ata që ishin në barkë erdhën dhe e adhuruan, duke thënë: ``Me të vërtetë ti je Biri i Perëndisë!``.
|
34 | Pastaj, mbasi dolën në bregun tjetër, erdhën në krahinën e Gjenezaretit.
|
35 | Dhe njerëzit e atij vendi, sapo e njohën, e përhapën fjalën në gjithë krahinën përreth; dhe i sollën të gjithë të sëmurët;
|
36 | dhe iu lutën që të mund t`i preknin të paktën cepin e rrobes së tij; dhe të gjithë ata që e prekën u shëruan plotësisht.
|