| Chapter 17 |
1 | Mbas gjashtë ditësh Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin, vëllanë e tij, dhe i çoi mbi një mal të lartë, në vetmi;
|
2 | dhe u shpërfytyrua përpara tyre: fytyra e tij shkëlqeu si dielli dhe rrobat e tij u bënë të bardha si drita.
|
3 | Dhe ja, iu shfaqën atyre Moisiu dhe Elia, të cilët bisedonin me të.
|
4 | Atëherë Pjetri, duke marrë fjalën, i tha Jezusit: ``Zot, është mirë që ne jemi këtu; po të duash, do të ngremë këtu tri çadra: një për ty, një për Moisiun dhe një për Elian``.
|
5 | Ndërsa ai fliste akoma, ja një re plot dritë i mbuloi; dhe nga reja u dëgjua një zë që thoshte: ``Ky është Biri im i dashur, në të jam kënaqur: dëgjojeni!``.
|
6 | Dhe dishepujt, sapo e dëgjuan këtë, ranë me fytyrë për tokë dhe i zuri një frikë e madhe.
|
7 | Por Jezusi u afrua, i preku dhe tha: ``Çohuni dhe mos kini frikë!``.
|
8 | Dhe ata, kur i çuan sytë, nuk panë njeri, përveç Jezusit vetëm.
|
9 | Pastaj, kur po zbrisnin nga mali, Jezusi u dha atyre këtë urdhër duke thënë: ``Mos i flisni askujt për këtë vegim, derisa i Biri i njeriut të jetë ringjallur prej së vdekuri``.
|
10 | Atëherë dishepujt e tij e pyetën duke thënë: ``Vallë pse skribët thonë se duhet të vijë më parë Elia?``.
|
11 | Dhe Jezusi u përgjigj: ``Vërtetë Elia duhet të vijë më parë dhe të rivendosë çdo gjë.
|
12 | Por unë ju them se Elia ka ardhur dhe ata nuk e kanë njohur, madje u sollën me të si deshën; kështu edhe Birit të njeriut do t`i duhet të vuajë prej tyre``.
|
13 | Atëherë dishepujt e kuptuan se u kishte folur për Gjon Pagëzorin.
|
14 | Kur arritën afër turmës, një burrë iu afrua dhe, duke u gjunjëzuar para tij,
|
15 | tha: ``Zot, ki mëshirë për birin tim, sepse është epileptik dhe vuan shumë; shpesh ai bie në zjarr dhe shpesh në ujë.
|
16 | Tani unë e solla te dishepujt e tu, por ata nuk mundën ta shërojnë``.
|
17 | Dhe Jezusi duke u përgjigjur tha: ``O brez që nuk beson dhe i çoroditur! Deri kur do të qëndroj midis jush? Deri kur do t`ju duroj? E sillni këtu tek unë``.
|
18 | Atëherë Jezusi e qortoi demonin dhe ky doli nga djali; dhe që nga ai çast djali u shërua.
|
19 | Atëherë dishepujt iu afruan Jezusit mënjanë dhe i thanë: ``Përse ne nuk ishim në gjendje ta dëbonim?``.
|
20 | Dhe Jezusi u tha atyre: ``Prej mosbesimit tuaj; sepse në të vërtetë, unë po ju them, se po të keni besim sa një kokërr sinapi, do t`i thoni këtij mali: "Zhvendosu nga këtu atje", dhe ai do të zhvendoset; dhe asgjë nuk do të jetë e pamundshme për ju.
|
21 | Por ky lloji demoni nuk del veçse me anë të lutjes dhe të agjërimit``.
|
22 | Por, ndërsa ata qëndronin në Galile, Jezusi u tha atyre: ``Biri i njeriut do t`u dorëzohet në duart e njerëzve,
|
23 | dhe ata do ta vrasin; por ditën e tretë ai do të ringjallet``. Dhe ata u pikëlluan shumë.
|
24 | Kur arritën në Kapernaum, vjelësit e të drahmeve iu afruan Pjetrit dhe thanë: ``Mësuesi juaj a e paguan taksën e tempullit?``.
|
25 | Ai tha: ``Po``. Kur hyri në shtëpi, Jezusi e priti përpara duke thënë: ``Ç`mendon ti, Simon? Prej kujt i marrin haraçet ose taksat mbretërit e dheut? Prej bijve të vet apo prej të huajve?``.
|
26 | Pjetri i tha: ``Prej të huajve``. Jezusi tha: ``Bijtë, pra, përjashtohen.
|
27 | Megjithatë, për të mos i skandalizuar ata, shko në det, hidhe grepin dhe merr peshkun e parë që do vijë lart, hapja gojën dhe do të gjesh një staterë; merre dhe jepjau atyre për ty dhe për mua``.
|