| Chapter 23 |
1 | Atëherë Jezusi u foli turmave dhe dishepujve të vet,
|
2 | duke thënë: ``Skribët dhe farisenjtë ulen mbi katedrën e Moisiut.
|
3 | Zbatoni, pra, dhe bëni gjithçka t`ju thonë të zbatoni; por mos bëni si bëjnë ata, sepse thonë, por nuk e bëjnë.
|
4 | Por lidhin barrë të rënda që barten me vështirësi, dhe ua vënë mbi kurrizin e njerëzve; Por ata nuk duan të luajnë vetë as me gisht.
|
5 | Por të gjitha veprat e tyre i bëjnë për t`u dukur nga njerëzit; i zgjërojnë filateritë e tyre dhe i zgjatin thekët e rrobave të tyre.
|
6 | Duan kryet e vendit në gostira dhe vendet e para në sinagoga,
|
7 | si edhe përshëndetjet në sheshe dhe të quhen rabbi, rabbi nga njerëzit.
|
8 | Por ju mos lejoni që t`ju quajnë rabbi, sepse vetëm një është mësuesi juaj: Krishti, dhe ju të gjithë jeni vëllezër.
|
9 | Dhe përmbi tokë mos thirrni askënd atë tuaj, sepse vetëm një është Ati juaj, ai që është në qiej.
|
10 | As mos lejoni që t`ju quajnë udhëheqës, sepse vetëm një është udhëheqësi juaj: Krishti.
|
11 | Dhe më i madhi prej jush le të jetë shërbëtori juaj.
|
12 | Sepse kush do të lartësojë veten, do të poshtërohet; dhe kush do të përulë veten, do të lartësohet.
|
13 | Por mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse mbyllni mbretërinë e qiejve para njerëzve; sepse as ju nuk hyni, as nuk i lini të hyjnë ata që janë për të hyrë.
|
14 | Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse gllabëroni shtëpitë e të vejave dhe për sy e faqe bëni lutje të gjata; për këtë arsye ju do të pësoni një dënim më të rreptë.
|
15 | Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse përshkoni detin dhe dheun për të bërë prozelitë, dhe kur ndokush bëhet i tillë, e bëni bir të Gehenas dhe dy herë më të keq se ju!
|
16 | Mjerë ju, udhëheqës të verbër, që thoni: "Në qoftë se dikush betohet për tempullin, kjo s`është gjë; por në qoftë se betohet për arin e tempullit, është i detyruar".
|
17 | Të marrë dhe të verbër! Sepse cili është më i madh: ari apo tempulli që e shenjtëron arin?
|
18 | Dhe në qoftë se dikush betohet për altarin, s`është gjë; por ne qoftë se betohet për ofertën që është mbi të, është i detyruar".
|
19 | Të marrë dhe të verbër! Sepse cila është më e madhe, oferta apo altari që e shenjtëron ofertën?
|
20 | Ai, pra, që betohet për altarin, betohet për të dhe për çdo gjë që është përmbi të!
|
21 | Ai që betohet për tempullin, betohet për të dhe për atë që banon atje.
|
22 | Dhe ai që betohet për qiellin, betohet për fronin e Perëndisë dhe për atë që është ulur mbi të.
|
23 | Mjerë ju, skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse ju llogaritni të dhjetën e mëndrës, të koprës dhe të barit të gjumit, dhe lini pas dore gjërat më të rëndësishme të ligjit: gjyqin, mëshirën dhe besimin; këto gjëra duhet t`i praktikoni pa i lënë pas dore të tjerat.
|
24 | Udhëheqës të verbër, që sitni mushkonjën dhe kapërdini devenë!
|
25 | Mjerë ju, skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse pastroni anën e jashtme të kupës dhe të pjatës, ndërsa përbrenda janë plot me grabitje dhe teprime.
|
26 | Farise i verbër! Pastro më parë përbrenda kupën dhe pjatën, që edhe përjashta të jetë e pastër.
|
27 | Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse u ngjani varreve të zbardhuara (me gëlqere), që nga jashtë duken të bukur, por brenda janë plot eshtra të vdekurish dhe gjithfarë papastërtish.
|
28 | Kështu edhe ju nga jashtë u paraqiteni njerëzve si të drejtë; por përbrenda jeni plot hipokrizi dhe paudhësi.
|
29 | Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse ndërtoni varrezat e profetëve dhe zbukuroni monumentet e të drejtëve,
|
30 | dhe thoni: "Po të kishim jetuar në kohën e etërve tanë, nuk do të kishim bashkëpunuar me ta në vrasjen e profetëve".
|
31 | Duke folur kështu, ju dëshmoni kundër vetes suaj, se jeni bijtë e atyre që vranë profetët.
|
32 | Ju e kaloni masën e etërve tuaj!
|
33 | O gjarpërinj, o pjellë nëpërkash! Si do t`i shpëtoni gjykimit të Gehenas?
|
34 | Prandaj, ja unë po ju dërgoj profetë, dijetarë dhe skribë; ju disa prej tyre do t`i vritni dhe do t`i kryqëzoni, disa të tjerë do t`i fshikulloni në sinagogat tuaja dhe do t`i persekutoni nga një qytet në tjetrin,
|
35 | që të bjerë mbi ju gjithë gjaku i drejtë i derdhur mbi dhe, nga gjaku i të drejtit Abel, deri te gjaku i Zaharias, birit të Barakias, që ju e vratë ndërmjet tempullit dhe altarit.
|
36 | Në të vërtetë po ju them se të gjitha këto gjëra do të bien mbi këtë brez.
|
37 | Jeruzalem, Jeruzalem, që i vret profetët dhe i vret me gurë ata që të janë dërguar! Sa herë kam dashur t`i mbledh bijtë e tu ashtu si i mbledh klloçka zogjtë e vet nën krahë, por ju nuk deshët!
|
38 | Ja, shtëpia juaj po ju lihet e shkretë.
|
39 | Sepse unë po ju them, se tash e tutje nuk do të më shihni më deri sa të thoni: "I bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit!"``.
|