| Chapter 15 |
1 | Dhe disa, që zbritën nga Judeja, mësonin vëllezërit: ``Nëse nuk jeni rrethprerë sipas ritit të Moisiut, nuk mund të shpëtoheni``.
|
2 | Duke qenë se u bë një grindje jo e vogël dhe një diskutim nga ana e Palit dhe e Barnabës me ata, u dha urdhër që Pali, Barnaba dhe disa të tjerë nga ata të ngjiten në Jeruzalem tek apostujt dhe te pleqtë për këtë çështje.
|
3 | Ata, pra, si u përcollën nga kisha, kaluan nëpër Feniki dhe Samari, duke treguar kthimin e johebrenjve dhe duke u sjellë gëzim të madh mbarë vëllezërve.
|
4 | Kur arritën në Jeruzalem, u pritën nga kisha, nga apostujt dhe nga pleqtë dhe treguan për gjërat e mëdha që Perëndia kishte bërë me anën e tyre.
|
5 | Por u ngritën disa nga sekti i farisenjve, që kishin besuar dhe thanë: ``Duhen rrethprerë johebrenjtë dhe të urdhërohen të zbatojnë ligjin e Moisiut``.
|
6 | Atëherë apostujt dhe pleqtë u mblodhën për ta shqyrtuar këtë problem.
|
7 | Dhe duke qenë se lindi një diskutim i madh, Pjetri u çua në këmbë dhe u tha atyre: ``Vëllezër, ju e dini se që në kohët e para Perëndia midis nesh më zgjodhi mua, që me anë të gojës sime johebrenjtë të dëgjojnë fjalën e ungjillit dhe të besojnë.
|
8 | Perëndia, që i njeh zemrat, u ka dhënë atyre dëshmi, duke u dhënë Frymën e Shenjtë, sikurse edhe neve;
|
9 | dhe ai nuk bëri asnjë dallim midis nesh dhe atyre, duke i pastruar zemrat e tyre me anë të besimit.
|
10 | Tani, pra, pse e tundoni Perëndinë, duke u vënë mbi qafën e dishepujve një zgjedhë që as etërit tanë e as ne nuk mund ta mbajmë?
|
11 | Po ne besojmë se do të shpëtohemi me anë të hirit të Zotit Jezu Krishtit, dhe në të njëjtën mënyrë edhe ata``.
|
12 | Atëherë e gjithë turma heshti, dhe rrinte e dëgjonte Barnabën dhe Palin, që tregonin ç`shenja e mrekulli kishte bërë Perëndia me anë të tyre ndër johebrenj.
|
13 | Dhe si heshtën ata, Jakobi e mori fjalën dhe tha: ``Vëllezër, më dëgjoni!
|
14 | Simoni ka treguar si i ka vizituar për herë të parë Perëndia johebrenjtë, që të zgjedhë nga ata një popull për emrin e tij.
|
15 | Me këtë gjë pajtohen fjalët e profetëve, sikundër është shkruar:
|
16 | "Pas këtyre gjerave, unë do të kthehem dhe do ta rindërtoj tabernakullin e Davidit që është rrëzuar, do t`i restauroj gërmadhat e tij dhe do ta ngre përsëri më këmbë,
|
17 | që mbetja e njerëzve dhe të gjitha johebrenjtë mbi të cilat thirret emri im, të kërkojnë Zotin, thotë Zoti që i bën të gjitha këto".
|
18 | Prej kohësh janë të njohura te Perëndia të gjitha veprat e tij.
|
19 | Prandaj unë gjykoj që të mos i bezdisim ata nga johebrenjtë që kthehen te Perëndia,
|
20 | por t`u shkruhet atyre që të heqin dorë nga ndotjet e idhujve, nga kurvëria, nga gjërat e mbytura dhe nga gjaku.
|
21 | Sepse Moisiu që nga kohët e lashta ka njerëz të cilët në çdo qytet e predikojnë atë, duke qënë i lexuar çdo të shtunë në sinagoga``.
|
22 | Atëherë iu duk e mirë apostujve dhe pleqve me gjithë kishën të dërgojnë në Antioki, me Palin dhe Barnabën, disa njerëz të zgjedhur nga ata: Judën, mbiquajtur Barsaba, dhe Silën, njerëz me autoritet ndër vëllezërit,
|
23 | me një letër të shkruar nga dora e tyre që thoshte: ``Apostujt, pleqtë dhe vëllezërit, vëllezërve nga johebrenjtë që janë në Antioki, Siri dhe Kiliki, përshëndetje.
|
24 | Duke qenë se morëm vesh se disa që erdhën prej nesh, por të cilëve ne nuk u kishim dhënë asnjë porosi, ju kanë shqetësuar me fjalë duke trazuar shpirtrat tuaj, duke thënë se ju duhet të rrethpriteni dhe të zbatoni ligjin,
|
25 | na u duk e mirë neve, të mbledhur tok me një zemër, të zgjedhim disa njerëz dhe t`i dërgojmë bashkë me të dashurit tanë Barnaba dhe Pal,
|
26 | njerëz që kanë përkushtuar jetën e tyre për emrin e Zotit tonë Jezu Krishtit.
|
27 | Kemi dërguar, pra, Judën dhe Silën; edhe ata do t`ju tregojnë me gojë të njëjtat gjëra.
|
28 | Në fakt na u duk mirë Frymës së Shenjtë dhe neve që të mos ju ngarkojmë asnjë barrë tjetër përveç këtyre gjërave të nevojshme:
|
29 | që ju të hiqni dorë nga gjërat e flijiuara idhujve, nga gjaku, nga gjërat e mbytura dhe nga kurvëria; do të bëni mirë të ruheni nga këto. Qofshi mirë``.
|
30 | Ata, pra, mbasi u ndanë, zbritën në Antiokia dhe, si mblodhën kuvendin, e dorëzuan letrën.
|
31 | Dhe ata, mbasi e lexuan, u gëzuan për ngushëllimin.
|
32 | Dhe Juda e Sila, që ishin edhe ata profetë, me shumë fjalë i nxitën vëllezërit dhe i forcuan.
|
33 | Mbasi ndenjën atje ca kohë, u dërguan prapë me paqtim nga vëllezërit tek apostujt.
|
34 | Por Silës iu duk mirë të mbetej aty.
|
35 | Edhe Pali e Barnaba qëndruan në Antioki, duke mësuar dhe duke shpallur me shumë të tjerë fjalën e Zotit.
|
36 | Pas disa ditësh Pali i tha Barnabës: ``Le të kthehemi të shohim vëllezërit tanë në çdo qytet, ku kemi shpallur fjalën e Perëndisë, për të parë si janë``.
|
37 | Dhe Barnaba donte të merrte me vete Gjonin, të quajtur Mark.
|
38 | Por Pali mendonte se nuk duhej marrë me vete atë që ishte ndarë prej tyre në Pamfili, dhe nuk kishte shkuar me ata në punë.
|
39 | Atëherë lindi një grindje saqë ata u ndanë njëri nga tjetri; pastaj Barnaba, mbasi mori Markun, lundroi për në Qipro.
|
40 | Por Pali zgjodhi Silën dhe u nis, pasi vëllezërit e lanë në hir të Perëndisë.
|
41 | Dhe përshkoi Sirinë dhe Kilikinë, duke i forcuar kishat.
|